Dr. Musli Vërbani
“Selami”, “Merhabaja” dhe “Muhabeti”
Fjala “selam”
Njeriu është i dalluar me të folur, përpos kësaj njeriu është qenie shoqërore, dhe takimet në mes njerëzve fillojnë me përshëndetje. Formula e përshëndetjes në islam është “selami”, për këtë arsye muslimanët kur të përshëndeten në mes veti përshëndeten me selam ngase prej kësaj fjale buron edhe emërtimi i islamit dhe muslimanëve, me një fjalë fjala musliman buron prej fjalës selam sepse rrënja e kësaj fjale është se-le-me.
Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: “Kur të përshëndeteni me ndonjë përshëndetje ju kthejeni përshëndetjen edhe me më të mirë, ose kthejeni në të njëjtën mënyrë.” (En-Nisa : 86)
Kur shkoi Muhamedi a.s. në Miëraxh iu bë obligim namazi. Në fund të namazit në uljen e fundit e cila është kusht kryesor i namazit këndohet “Ettehijati”. Kjo është një simbolikë e qëndrimit të Muhamedit a.s. para Allahut sepse natën kur Muhamedi a.s. e bëri Miëraxhin, atëherë kur Muhamedi a.s. ishte para Allahut Allahu e përshëndeti me: “es-selamu alejke ejjuhen nebiju” që do të thotë “Paqja, mëshira dhe bekimi qoftë mbi ju o i dërguari im!”. Muhamedi a.s. e ktheu selamin “Esselamu alejna” që do të thotë “Paqja dhe bekimi të jetë tek ne”.
Nga kjo ngjarje historike dhe nga kjo mrekulli e Muhamedit a.s. e cila konsiderohet mrekullia e dytë pas Kur’anit, sehabet filluan ta përshëndetin njëri-tjetrin me: Es-selamu alejkum! Që do të thotë: Paqja, mëshira dhe bereqeti i Zotit qoftë mbi ju! Dhe kthyerja e përshëndetjes: Ve alejkumus-selamu ve berekatuhu! Që do të thotë: Edhe me ju qofshin paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit!
Edhe pse kjo formulë e përshëndetjes ka filluar të praktikohet tek sahabet menjëherë pas mrekullisë së miraxhit, selami është edhe përshëndetja e parë e cila i është bërë njeriut të parë të njerëzimit, pra Ademit a.s.. Muhamedi a.s. ka thënë: “Kur Allahu xh.sh. e krijoi Ademin a.s. tha: O Adem, shko dhe përshëndete atë grup melekësh që janë ulur dhe mbaje mend përshëndetjen që do ta kthejnë ata, sepse ajo është përshëndetje që do të vlejë edhe për ty edhe për pasardhësit tu. Ademi a.s. shkoi dhe i përshëndeti melekët me selam, kurse ata (melaqet) ia kthyen selamin.”
Fjala “selam” është edhe një prej 99 emrave të bukur të Allahut.
Dhurata më e madhe që i është dhënë njeriut është fëmija dhe gëzimi më i madh është kur njeriut i lind fëmijë, por kur kjo ndodhë në moshë të shtyer atëherë është edhe më e rëndësishme dhe melekët kur shkuan te Ibrahimi për të ia përcjell lajmin e gëzuar për lindjen e Ishakut ata e përshëndetën me selam dhe Ibrahimi ua ktheu me selam.
Pasi që të mirëpriten banorët e xhenetit ata do të përshëndeten me selam, thotë Zoti i Lartmadhëruar: Përshëndetja për ta në të (xhenet) është selam” (Tehijetuhum fijha selam).
Selami na e shton dashurinë dhe vëllazërinë ndërmjet njëri-tjetrit. Muhamedi a.s. thotë:
“Nuk do të hyni në xhenet derisa të mos besoni,
nuk do të besoni derisa të mos duheni mes veti.
A të ju tregoj një gjë, të cilën nëse e praktikoni do të duheni në mes veti?
Sahabët thanë:Po.
Pejgamberi a.s. tha: Përhapeni selamin.”
Fjala “merhaba”
Fjala “merhaba” ka kuptimin e mirëseardhjes, mirëqenies, mirëpritjes, qetësisë dhe rehatisë. Edhe kjo fjalë buron nga Kur’ani. Rrënja e kësaj fjale është fjala “rehabe”.
Në botën tjetër besimtarët do të mirëpriten, që do të thotë do të ketë merhaba, pra do të ketë urim të mirëseardhjes, ndërsa jobesimtarët nuk do të mirëpriten dhe për këtë arsye nuk do të ketë për ta merhaba, në botën tjetër u thuhet: “La merhaben bitum” që do të thotë “nuk ka mirëseardhje për ju”.
Tek ne është traditë që deri sa të jetë në këmbë musafiri jepet selami, ndërsa pasi të ulen e përshëndesin njëri-tjetrin me merhaba. Transmetohet nga Aisheja r.a. se Muhamedi a.s. bijës së vet Fatimes i ka thënë: “Merhaba bija ime.”
Duhet pasur kujdes që të mos përdoret fjala meraba në vend të fjalës merhabasepse në të shumtën e rasteve kur të shqiptohet kjo fjalë hiqet shkronja “h” dhe e shqiptojnë “meraba”.
Fjala “muhabet”
Fjala “muhabet” mendohet se ka kuptimin e bisedimit, diskutimit, të folurit, por e vërteta është se fjala muhabet nuk e ka asnjërën prej këtyre kuptimeve. Rrënja e fjalës muhabet është fjala ha-be-be e që e ka kuptimin e i/e dashur.
Ashtu sikurse prej fjalës selam buron fjala musliman, prej fjalës rehabe buron fjala merhaben, ashtu edhe fjala muhabet buron prej fjalës habebe.
Është e vërtetë se nëse ndonjë proces i bisedimit i cili sjell kënaqësi, lumturi, qetësi, siguri, atëherë ai proces bën që dy bashkëbiseduesit të duan njëri-tjetrin, e dashuria e dy bashkëbiseduesve quhet muhabet.
Në gjuhën arabe bashkëbisedimit i thuhet “mukaleme”.
E kundërta e fjalës muhabet është fjala “mugadebet”. Shpesh ndodhë që diskutimi të ketë mospajtime të ashpra e ky lloj diskutimi quhet fjalosje, e fjalosja shpesh shpie në urrejtje, ndërsa urrejtja krijon ndarje, dhe prej urrejtjes fillojnë kundërshtime të cilat sjellin fatkeqësi, e ky lloj diskutimi quhet mugadebet.
Dhe në fund… ashtu sikurse është sunet selami në fillim të bisedës, ashtu edhe përfundon biseda me selam, që do të thotë vuloset me selam, ndërsa pas ndarjes dhe pas përfundimit të bisedës (jo fjalosjes), pasi që biseda ka qenë e sinqertë, e ngrohtë, e frytshme dhe që ka sjellë dashuri në zemër, me qëllim që edhe herëve tjera të jetë po e njëjta bisedë, atëherë thuhet: isha te “x” personi dhe kemi bë muhabet, që do të thotë biseda na ka shtua dashurinë e përzemërt ndaj njëri-tjetrit. Pra, fjala MUHABE-t ka kuptimin: mbjellje dashurie nga biseda, sepse prej bisedës e cila sjell dashurinë, buron mëshira. Prej dashurisë buron bashkëpunimi, prej dashurisë buron ndërlidhmëria dhe prej dashurisë buron lumturia.