Dr. Musli Vërbani
“xhami” apo “mesxhid”
Termi “xhami” dhe termi “mesxhid” janë dy fjalë diametralisht të kundërta që në kuptim etimologjik nuk kanë asgjë të përbashkët njëra me tjetrën edhe pse në përdorim njëra e zëvendëson tjetrën dhe anasjelltas.
Termi “xhami” është fjalë arabe e cila buron prej fjalës “xhemea” e që e ka kuptimin e bashkimit, shumësit, dhe tubimit, me fjalë tjera vendtubimit, pa marrë parasysh ai tubim a bëhet për namaz apo për diçka tjetër.
Termi “mesxhid” është fjalë arabe e cila buron prej fjalës “sexhde” (përulje), d.m.th. vendi në të cilin bëhet sexhdeja.
Vendi ku bëhet namazi quhet “mesxhid” (edhe me xhemat edhe veçmas) sepse sexhdeja është prej pjesëve kryesore dhe më me vlerë në namaz. Edhe qëndrimi në këmbë (kijami) edhe rukuja janë pjesë kryesore të namazit, por sexhdeja e ka vlerën më të madhe për shkak të përulshmërisë së skajshme në namaz. Për këtë arsye është zgjedhur ky term për këtë objekt.
Përdorimi i termit “xhami” dhe “mesxhid” në Kur’an dhe Hadith nuk e zëvendëson njëri-tjetrin. Këtë e ilustrojmë në vijim:
- Fjala “mesxhid” e përdorur në Kur’an dhe nuk është përdorur fjala “xhami”.
Në Kur’an gjithmonë për fjalën “xhami” është përdorur termi “mesxhid”, por ne do t’i përmendim vetëm disa ajete:
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit gjer në Mesxhidi Aksa.” (El-Isra : 1);
“…dhe mesxhidet janë për Allah…” (El-Kehf)
“…vërtetë mesxhidet i ndërtojnë, i përmbajnë dhe përkujdesen ata të cilët besojnë në Zotin…” (En-Nisa)
“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (mesxhid).” (A’raf : 31)
Është interesant të përmendet që në Kur’an në gjuhën shqipe fjala “mesxhid” përkthehet me fjalën “xhami”, çka nuk do të ishte e drejtë.
- Fjala “mesxhid” e përdorur në Hadith dhe nuk është përdorur fjala “xhami”.
Muhamedi a.s. në hadithe e ka përdorur fjalën “mesxhid”, e jo “xhami”, kur ka thënë:
“Udhëtoni me këmbëngulje për në tri mesxhide:
(e para) për në mesxhidil Haram,
(e dyta) për në mesxhidi (në Medine),
(e treta) për në mesxhidil Aksa.”
Muhamedi a.s. ka thënë: “Kur të hyjë ndokush prej jush në mesxhid le të thotë: O Zoti im mi hap dyert e mëshirës Tënde.”
Muhamedi a.s. ka thënë: “Kur të hyj ndokush prej jush në mesxhid, le t’i falë dy rekate para se të ulet!”
Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush ndërton një mesxhid, duke kërkuar me të kënaqësinë e Allahut, Allahu do t’ia ndërtojë një të tillë në Xhenet.”
Sikurse në përkthim të Kur’anit, ashtu edhe në përkthim të haditheve fjala “mesxhid” përkthehet xhami dhe prapë nuk do të kishte qenë e drejtë.
Gjenerata e parë nuk e përdornit termin “xhami” për “mesxhidin” por e përdornin vetëm fjalën “mesxhid”.
Me kalimin e kohës fillon të përdoret në togfjalësh “El mesxhid el xhami”, më vonë është anuluar pjesa e parë e togfjalëshit “el mesxhid” dhe ka mbetur vetëm fjala “xhami”.
Disa mendojnë se “xhamia” është objekti ku falet e xhumaja “el mesxhid el xhami” ndërsa “mesxhid” e mendojnë objektin ku falet vetëm namazi dhe jo namazi i xhumasë dhe ky mendim është gabim dhe një kategorizim i tillë është gabim.
Shumica gabojnë kur mendojnë se mesxhidi pa minare është “mesxhid” ndërsa mesxhidi me minare quhet “xhami”. Në kohën moderne kur ka filluar ndërtimi vertikal, pra, ndërtimi i objekteve shumëkatëshe nuk shihet interesimi për të pasur tërë katin e ndërtesës për “mesxhid” duke menduar edhe po të bëhej namazi në të, nuk do të ishte xhami sepse nuk ka minare, por do të ishte vetëm mesxhid dhe jo xhami.
Disa shkojnë edhe më larg sa që brendësinë e mesxhidit e quajnë xhami, ndërsa çka është oborr dhe jashtë xhamisë e quajnë mesxhid, ndërsa edhe kjo formë e ndarjes së xhamisë kështu është gabim.
Në të shkruar por edhe në popull përdoret fjala “sexhade” për shtrojën (qilimin) me përmasa të vogla e cila përdoret për falje të namazit edhe pse kjo sexhade vendoset mbi vendin e pastër si loti.
Disa nuk falen në qilim nëse nuk kanë sexhade edhe nëse shtroja e qilimit është më e pastër se vet sexhadja.
Nëse nuk ka sexhade dhe nuk ka qilim, lejohet të bëhet falja edhe në tokë (livadh, male, kodrinë, guri, e të ngjashme) sepse Muhamedi a.s. ka thënë: “Më është bërë toka e pastër dhe mesxhid.” Pra, hadithi e tregon se tërësia e tokës është mesxhid (vendfalje) në vete.
Përdorimi i sexhades është bë në bazë të një hadithi të Muhamedit a.s. kur ka thënë: “Ma përgatit sexhaden (humren) që të falem.”
Muhamedi a.s. çështjen e parë që e bëri posa arriti në Kuba ishte ndërtimi i një mesxhidi për tu falur, ai mesxhid e ka luajtur rolin e qendrës politike, sociale dhe fetare.
Mesxhidi me kalimin e kohës përpos faljes së namazit është shfrytëzuar për të mësuar Kur’anin, për sqarimin e haditheve, për studimin e shkencave si shkenca e akaidit, pastaj shkenca e të drejtës islame, me një fjalë mesxhidi ka qenë shkollë fillore e mesme, medrese, fakultet.
Edhe pse me termin “xhami” kemi për qëllim vendtubimin e xhematit në mesxhid, mirëpo termi më adekuat është mesxhid se sa xhami edhe pse në mesxhid bëhet tubimi sepse tubimi bëhet për të falur namaz me xhemat por edhe për faljen e namazit të xhumasë por edhe nëse bëhet tubim për lexim Kur’ani, për shpjegim të haditheve, për të mësuar të drejtën islame për të përfituar këshilla islame, prapë se prapë termi bazë i saj është termi mesxhid, siç thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Dhe mesxhidet janë vetëm për Allah dhe në të mos iu lutni askujt tjetër pos Allahut.” (El-Kehf)