Dr. Musli Vërbani
Termi “Mulla” apo…!?
Fjala “mulla” është term që prejardhjen e ka prej gjuhës arabe por që në gjuhën arabe nuk shqiptohet kështu. Prej 28 shkronjave të gjuhës arabe nuk ka shkronjë “LL”. I vetmi rast ku theksohet shkronja “LL” është me rastin e fjalës “All-llah”.
Gjuha arabe e ka shkronjën “L” dhe në shkencën e të lexuarit të Kur’anit (texhvidit) me rastin e shtrëngimit apo forcimit të shkronjës “L” kur është me “fetha” apo me “dame” prapë se prapë lexohet “L” e fortë dhe jo “LL”.
Në Kur’an përdoret fjala “mevla”. Edhe në hadithe përdoret fjala “mevla” e cila vjen prej fjalës “Velij”. Fjala “Velij” do të thotë dashamir, i autorizuar, kujdestar, mbrojtës, etj.
Nëse fjalës “Velij” i jepet parashtresa e së shquarës “el” tregon për emrin prej 99 emrave të bukur të Allahut.
Për dallim nga gjuha shqipe, gjuha boshnjake e ka shkronjën “Lj” dhe shkronjën “Ll”, mirëpo në përdorimin e fjalës “mevla” është anuar në përdorim të shkronjës “Ll” dhe është përdor fjala “mulla” (mella) dhe nuk është përdor shkronja “Lj” pra “Mevlja”. Shihet se nuk është përdor me shkronjën “Lj” “Mevlja” por është përdor me shkronjën “Ll” “Mevlla” e më vonë prej “ev” është shndërruar në “u” dhe në vend se të thuhet “Mevlla” është thënë “Mulla”.
Termin “Mulla” dhe jo “Mevla” e përdorin edhe në disa vende të Azisë së mesme dhe të largët të Afrikës mirëpo ky term nuk është me “Ll” të plotë “Mulla” por në mes të “Mulla” dhe “Mula”, pra as “Mulla” e plotë dhe as “Mula” e plotë.
Gjuha shqipe ka shkronjë “L” dhe shkronjën “Ll” dhe nuk ka nevojë të përdoret fjala “Mulla” për hoxhën apo imamin. Gjatë leximit të Kur’anit f.v. në pjesën e ajetit Kur’anor: “Niemel Mevla ve niemen Nesire.” (El Haxh : 78) (“Nuk ka Mbrojtës më të mirë dhe nuk ka Ndihmëtarë më të mirë.”) asnjëherë në gjuhën shqipe nuk lexohet “Niemel Mevlla” edhe nëse kemi për qëllim fjalën “Mevla” e mos të flasim kur është për qëllim “Mevla”.
Duke pasur parasysh se ky term përdoret për institucionin fetar dhe se “Mulla” është titull i cili i jepet udhëheqësit fetar lokal apo imamit të xhamisë, parashtrohet pyetja se a është në rregull të përdoret kështu?. Kjo është një çështje që moti është dashtë të rregullohet por…!?
Për prijësin fetar islam përdoret edhe fjala “imam” që do të thotë udhëheqës. Po ashtu përdoret fjala “hoxhë” që do të thotë mësues, pastaj fjala “mual-lim” që do të thotë arsimtar dhe fjala “muder-rise” që do të thotë profesor. Në kohë të fundit për hoxhën apo imamin ka filluar të përdoret fjala “teolog” që do të kishte kuptimin e teologut qoftë islam qoftë të krishter apo katolik apo të ndonjë feje tjetër.