Sistemi Islam sistem i mesatares

Dr. Musli Vërbani

 

 

Sistemi Islam sistem i mesatares

 

Njeriu është qenie shoqërore nga natyrshmëria e tij, ai duhet  të jetojë në bashkësi, nga kjo fillojnë raportet ndërshoqërore, këto raporte fillojnë prej raporteve në familje duke vazhduar në ato sociale, ekonomike dhe politike.

Historia njeh sistemin skllavo-pronar prej sistemeve të para, e pastaj atë feudal për të vazhduar sistemi kapitalist e në fund edhe sistemi socialist.

Me një fjalë, kemi kapitalizmin në një anë dhe socializmin në anën tjetër që ndryshe quhen të djathtët dhe te majtët, mirëpo në mes tyre qëndron mesi, e mesi i tyre në aspekt ekonomik, për të mos thënë në aspekt ideologjik, është islami. Kjo nga shkaku se si sistemi socialist ashtu edhe ai kapitalist kanë për qëllim materien dhe kanë qasje të njëjtë në këtë çështje për dallim të islamit i cili e njeh edhe anën materiale po ashtu edhe atë shpirtërore, ndërsa edhe socializmi edhe kapitalizmi e njohin vetëm anën materiale.

Kapitalizmi është i ndërtuar mbi bazën e materializmit që do të thotë se i kushton vëmendje të veçantë faktorëve ekonomik të cilat sjellin kapitalin.

Në kapitalizëm njeriu konsiderohet si një shtazë ekonomike.

Kapitalizmi ka për qëllim realizimin e fitimit të skajshëm, pa marrë parasysh mënyrën e fitimit.

Sistemi Kapitalist qëllim kryesor  ka ruajtjen e interesit kapitalist pra të individit, kështu që i jep përparësi individit ndaj shoqërisë, për këtë arsye i jep liri absolute në pronësi dhe në aktivitet ekonomik.

Sistemit kapitalist i kushtonte rëndësi të posaçme individit dhe shikon interesin individual, e që pastaj në mënyrë indirekte të realizohet interesi shoqërorë, pasi që shoqëria nuk është asgjë tjetër përpos që përbëhet prej individëve të cilët formojnë shoqërinë.

Prej faktorëve në të cilët është ngritur ky sistem është kamata e cila me kalimin e kohës jo vetëm që ka shkatërruar individin por edhe shoqërinë, ndërsa për të shpëtuar nga vetshkatërrimi edhe shoqëria edhe individi duhet të largohet kamata nga skena ekonomike edhe pse ky element ishte mjet i zhvillimit të tij.

E kundërta e kapitalizmit është socializmi, siç e cekëm më lartë sikurse e para ashtu edhe dyta qëndron në baza materiale.

Si baba i socializmit është i njohur Marksi, ai së bashku me Engelsin nxorën programin e komunizmit në vitin 1848.

Sipas tyre socializmi është rezultat i luftës në mes të pushtuesit dhe të pushtuarit, me fjalë tjera luftë në mes klasës kapitaliste dhe klasës punëtore, mirëpo kjo luftë duhet të përfundoj me fitimin e klasës punëtore e cila do ta eliminonte klasën kapitaliste dhe do të formonte shtetin e proletariatit i cili do të ishte shtet totalitar pa klasa mirëpo ai shtet bëhet i fuqishëm dhe vendos regjim të plotë. Sipas këtij sistemi pas një kohe edhe shteti do të zhduket.

Specifikë e socializmit është pronësia shtetërore dhe ndalimi i pronësisë private.

Sistemi socialist qëllimin kryesor e sheh interesin shoqëror, në rend të parë i jep përparësi shoqërisë e pastaj individit. Duke u nisur nga ky parim shteti ndërhyn në çdo aktivitet ekonomik dhe e ndalon pronësinë individuale në mjete të prodhimit.

Ky sistem arsyetohet me atë se duke u përkujdesur vetëm në interesin shoqërorë, në mënyrë indirekte realizohet edhe interesi individual sepse individi është pjesë e  tërësisë së shoqërisë. Individi ka vlerë atëherë kur shoqëria ka vlerë. Me kalimin e kohës, pronësia shtetërore ekonomike ndikoi qe ky sistem të kaloj në sistem burokracie.

 

Sistemi ekonomik islam është sistem i bashkdyzimit socialist dhe kapitalist

 

Feja Islame si sistem ekonomik të cilin e ka parapa Krijuesi (Allahu), është i përshtatshëm për të gjitha vendet, për të gjitha kohët dhe për çdo çështje, sepse parasheh baraspeshimin në çdo aspekt.

Feja islame  parasheh:

baraspeshimin material me atë shpirtëror;

baraspeshimin individual me atë shoqëror;

baraspeshimin ekonomik, ku shihet liria relative në realizimin e interesit edhe të individit por edhe të shoqërisë në të njëjtën kohë paralelisht  dhe reciprokisht.

Islami nuk lejon themelimin e ndonjë diktature të ndonjë klase si në kapitalizëm, por gjithashtu nuk lejon themelimin e ndonjë shteti totalitar si në socializëm. Ekonomia Islame qëndron në mes të interesit individual dhe atij të përgjithshëm.

Ekonomia islame është ekonomi e anës ekonomike dhe morale, synon ngritjen materiale dhe shpirtërore.

Islami e ruan natyrshmërinë e njeriut, ai e pranon të drejtën për të pasur pasuri siç e thekson Zoti i Lartmadhëruar: “Dhe ai është që shumë e do pasurinë.” (el Adijat, 7).

Mesatarja e Islamit në krahasim me Socializmin dhe kapitalizmin qëndron edhe  në atë se socializmi dhe kapitalizmi qëndron mbi bazën materiale ndërsa Islami mbi bazën morale dhe materiale.

Feja Islame nuk është vetëm fe e besimit por është sistem i organizimit shoqëror politik dhe ekonomik. Politika ekonomike islame angazhohet me ruajtjen e interesit shoqëror dhe individual, me ruajtjen e plotësimit të nevojave materiale dhe shpirtërore.

Njeriu ka nevoja materiale pa të cilat nuk mund ta zhvilloj normalisht jetën si nevoja për ushqim, veshmbathje dhe vendstrehim. Zoti i Lartmadhëruar kur e ka zbritur njeriun e parë Ademin a.s. i ka siguruar ushqimin, veshmbathjen dhe vendstrehimin ku thotë: “Ti (O Adem dhe pasardhësit tu) nuk do të kesh uri dhe nuk do të mbetesh pa vendstrehim dhe pa veshmbathje.” (TaHa ).

Si socializmi ashtu edhe kapitalizmi shikojnë vetëm anën e kësaj bote ndërsa bazat e ekonomisë islame janë që njeriu të fitoj lumturi edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.

Sistemi ekonomik islam nuk parasheh as individin si çështje të organizimit ekonomik, e as shoqërinë si çështje të organizimit ekonomik, por në të njëjtën kohë, sistemi ekonomik islam bënë bashkimin e të dy sistemeve ekonomike, sistemin ekonomik kapitalist dhe sistemin ekonomik socialist. Nëse bie ndesh interesi individual me interesin shoqëror i jepet përparësi interesit shoqëror. Është rregull e fikhut islam sedëmi individual realizohet për të mënjanuar dëmin e përgjithshëm.

Në Islam vlera e njeriut është në bazë të besimit dhe devotshmërisë së tij dhe nuk ulet vlera e njeriut nga asnjë punë përderisa ajo punë është e lejuar.

Përderisa Sistemi social bashkëkohor është produkt i konfliktit të interesave të dy klasave, klasës kapitaliste dhe klasës punëtore, dhe krizave të cilat shkurtuan revolucionin e punëtorëve në realizimin e të drejtave të tyre,  Feja  Islame këto çështje i ka determinua  para 1400 vitesh.

            Në pronësi Islami parasheh mesataren sepse nuk ndalohet pronësia private e pasurisë dhe ajo nuk vendos të gjitha mjetet e prodhimit, shpërndarjes dhe këmbimit në duart e shtetit.  Islami mbështet pronësinë publike për të mirën e përgjithshme të popullsisë por përkrah edhe të drejtën e pronësisë private. Në islam pasuria i takon vetëm Allahut, ndërsa njeriu konsiderohet si përgjegjës apo si përkujdesje e dhënë nga Allahu e cila është e ndërlidhur ngushtë me urdhëresat dhe ndalesat e Allahut. Thotë Zoti i Lartëmadhëruar: “…dhe jepuni nga pasuria që ua ka dhënë Allahu juve.” (en-Nur 33).

Në  islam  pasuria është mjet dhe nuk është qëllimpasuria është mjet për përfitim dhe ndërtim të tokës ngase ajo është e destinuar nga Allahu për këtë qëllim por nuk është qëllim i jetës dhe kurrsesi nuk bënë të pengoj njeriun nga adhurimi për Zotin nga shkaku se jeta ka vlera më të mëdha se pasuria. Njeriu ha për të jetuar dhe nuk jeton për të ngrënë. Punëtori krahas përfitimit material duhet të kërkoj edhe shpërblimin e botës tjetër. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “E kush punon ndonjë të mirë që peshon sa grimca e atomit do ta gjej dhe kush punon ndonjë të keqe sa grimca e atomit do ta gjejë.” (Zelzele, 7, 8).

Puna në islam konsiderohet një prej kushteve për të arritur kënaqësinë e Allahut.

Edhe pse Allahu është Pronar i vërtetë i pasurisë, Allahu ua ka përshkruar robërve të tij si nder dhe begati për ta por në të njëjtën kohë sprovë dhe përgjegjësi. Islami të  drejtën individuale të pronësisë e konsideron të shenjtë siç thotë Muhamedi a.s.: “Vërtet gjaqet tuaja, pasuritë tuaja janë të shenjta ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë majë dhe në këtë vend.”.

Pronësia në Islam është e kushtëzuar dhe e lidhur ngushtë me urdhrat e Allahut. Thotë Zoti i Lartëmadhëruar: “O ju të cilët keni besuar jepini nga më e mira e asaj që fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës.” (el-Bekare, 267).

Sa i përket shtetit ai duhet të kontrollohet nga një qeveri demokratike ashtu siç është urdhëruar Muhamedi a.s.: “Dhe konsultohu për çdo çështje.”.

 

Barazia ekonomike nuk është parim në Islam sepse njerëzit ndryshojnë në aftësi të përfitimit dhe shpërndarjes së pasurisë. Dallimi në mes njerëzve është rregull hyjnor dhe nuk mund të eliminohet në mënyrë artificiale. Ajo çka duhet të jetë e barabartë është sigurimi i të drejtave themelore dhe liria e barabartë në realizimin e fitimit e jo të posedimit. Shihet se në këtë çështje feja islame qëndron në mesin e artë.

Islami nuk pranon ndarjen e pasurisë në mënyrë të barabartë te të gjithë njerëzit, por parasheh që njerëzit të shpërblehen në bazë të punës dhe të angazhimit sepse në këtë mënyrë realizohet barazia dhe drejtësia në shoqëri e jo në bazë të ndonjë forme tjetër, sepse dallimet ekonomike në mes njerëzve nuk janë asgjë tjetër pos sprovë me të cilën Zoti i sprovon njerëzit se si duhet vepruar në gjendje të mirë ekonomike dhe në gjendje të vështirë ekonomike.

Specifikë tjetër e islamit është se është e themeluar mbi baza të moralit, mbi bazat e dhembshurisë, dashurisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Ndihmohuni në mes vete në të mira dhe në të mbara e jo në mëkate dhe armiqësi.” (el-Maide, 2).

Specifikë tjetër e ekonomisë islame është maturia apo mesatarja edhe në shpenzimin e  pasurisë. Zoti i Lartmadhërishëm thotë: “Hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë.” (el-Earaf, 31). Kjo sa i përket gjërave të lejuara, ndërsa sa i përket gjërave të ndaluara qoftë pak apo shumë është e ndaluar.

Parimi më i rëndësishëm i ekonomisë Islame është sigurimi shoqëror. Kjo e drejt  është e drejt ndaj Allahut, sepse në  Sheriatin Islam të drejtat ndahen në të drejtat ndaj Allahut, të drejtat ndaj të tjerëve dhe në të drejtat të përbashkëta  e duhet ditur se sigurimi shoqëror i takon të drejtave që kanë të bëjnë me të drejtat ndaj Allahut.

Sigurimin ndaj të tjerëve Islami e ka paraparë pjesë përbërëse të vetënThotë Zoti i Lartmadhëruar: “A nuk e sheh se ai i cili përgënjeshtron fenë, është ai i cili largon jetimin dhe nuk angazhohet për të ushqyer të varfrin.” (El. Maide, 1,3).

Nxitjen në ndihmën ndaj të varfërve Islami e parasheh nëpërmjet shpërblimit të cilin e ka njeriu në dhënien e Zekatit. Zekati është i destinuar për kategori të ndryshme e ato janë: kategoria e të varfërve: kategoria e të ngratëve; kategoria e  punonjëseve për mbledhjen dhe për shpërndarjen e zekatit; kategoria për përfitimin e zemrave; kategoria për lirimin nga robëria; kategoria për të falimentuarit nga borxhet e tepërta dhe kategoria në rrugë të Allahut (këto kategori janë të përmendura në Suretu Tevbe, 60).

Nëse nuk mjafton zekati atëherë kërkesat e tij përmbushen nga burimet tjera të arkës shtetërore. Nëse arka shtetërore nuk posedon mjete të mjaftueshme atëherë qeverisë i mbetet të caktoj masa (tatime) shtesë ndaj të pasurve në mënyrë që të përmbushen kërkesat.

Në Islam qytetarët kanë të drejtën për pasuri private, të drejtën e mbrojtjes së nderit dhe të drejtën e barazisë para drejtësisë.

Kamata në Islam është e ndaluar rreptësisht sepse është fitim i padrejtë e cila e  përqendron pasurinë te disa individë.

Ndalimi i kamatës edhe pse nuk e forcon individin në anën tjetër nuk e dobëson as shoqërinë, bile ndalimi i kamatës bënë balancimin dhe baraspeshimin në mes të individit dhe të shoqërisë. Në kohët e fundit ka zëra që thonë se sistemi financiar i Bankave bashkëkohore nuk është i përshtatshëm në zbatim, në anën tjetër vazhdimisht dëgjojmë zëra se zbatimi i sistemit financiar Islam është më praktik dhe më i zbatueshëm dhe se islami është zgjidhje e krizës globale financiare e cila në çdo moment mund të eksplodoj sepse sistemi bashkëkohor financiar është ndërtuar në baza financiare artificiale ndërsa sistemi financiar Islam është i ndërtuar në baza të shëndosha dhe natyrale.

Lini një koment