Dr. Musli Vërbani
Personaliteti islam
Njeriu ka nevojë të kompletoj shtëpinë me dhomë gjumi, dhomë fëmijësh, me banjo, kuzhinë, e shumë elemente tjera. Shoqëria ka nevojë të kompletoj sinjalizimin e rrugëve, asfaltimin e tyre, rregullimin e hapësirave publike, etj. Për tu kompletuar të gjitha këto duhet të bashkëpunojnë mjeshtër të natyrave të ndryshme, si inxhinierë, arkitektë, elektricistë, etj. Pra, si njeriu ashtu edhe shoqëria duhet të kompletohen. Për tu kompletuar familja duhet të bashkëpunojnë të gjitha institucionet edukative, kulturore, shoqërore, informative, etj. Nëse nuk ka bashkëpunim në mes tyre nuk mund të kompletohet familja (shoqëria). Nuk mund të bëhet kompletimi kur disa ndërtojnë e të tjerët demolojnë.
Prej qëllimeve kryesore në islam është kompletimi i njeriut në të gjitha aspektet:
- kompletimi i mendjes;
- kompletimi i shpirtit;
- kompletimi i trupit;
- kompletimi shoqëror; dhe
- kompletimi politik dhe ushtarak.
- Kompletimi i mendjes: Mendja është bazë e besimit, sikurse trupi i cili ushqehet me ushqim ashtu edhe mendja ushqehet me lexim, për këtë arsye edhe ajeti i parë ka zbritur “Lexo…” . Në shumë ajete Zoti i Lartmadhëruar i përfundon me “a nuk po analizojnë”, “a nuk po logjikojnë”, “a nuk po mendojnë”, e të ngjashme.
Kjo dëshmon se muslimani duhet të kompletohet mendërisht (logjikisht) e cila është bazë e besimit në Zotin e Lartmadhëruar, bazë e kuptimit të obligueshmërisë dhe bazë e kryerjes së obligimeve.
- Kompletimi i shpirtit: Ibadeti është ushqim i shpirtit. Sikurse trupi i cili ushqehet me ushqim ashtu edhe shpirti ushqehet me adhurim. Namazi, agjërimi dhe obligimet tjera në islam nuk janë caktuar për vështirësinë e jetës së njeriut por për kompletimin e shpirtit. Edhe pse adhurimet kanë lidhje të ngushtë me shëndetin mendor dhe fizik, qëllimi i tyre është kompletimi i shpirtit.
- Kompletimi i trupit: Obligimet në islam nuk janë adhurime vetëm të ushqimit të shpirtit por janë edhe për edukimin e trupit. Muhamedi a.s. ka thënë: “Muslimani i fortë është më i dashur tek Allahu se sa muslimani i dobët.”. Mendja e shëndoshë në trupin e shëndoshë. Muhamedi a.s. na ka këshilluar që t’i mësojmë fëmijët notimin dhe kalërimin për tua forcuar trupin.
Kur’ani tregon për beni Israilët të cilët kërkuan nga pejgamberi i tyre tu dërgohet një udhëheqës, i kërkuan Samuelit t’u zgjedh edhe një mbret dhe prijës që t’i udhëheqë në luftë kundër Amalikëve. Pejgamberi atyre u tha: “Allahu ka dërguar Talutin si mbret tuajin.”. Taluti ishte i ditur, i urtë, me trup të shëndoshë dhe i fuqishëm.
“Ata thanë: Si mund të bëhet ai (Taluti) mbreti ynë, kur ne kemi përparësi për të sunduar?! Përveç kësaj, ai nuk ka ndonjë pasuri të madhe. Ai u përgjigj: Allahu e ka zgjedhur atë për mbret tuajin dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore.” (El-Bekare : 247).
Pas këtij debati ata e pranuan Talutin si mbret dhe komandant të tyre. Kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, fitoi ushtria e Talutit ndaj ushtrisë së Xhalutit.
- Kompletimi shoqëror: Edukimi i shoqërisë bëhet nëpërmjet edukimit të individit dhe anasjelltas.
Në islam kemi obligime individuale dhe obligime kolektive. Adhurimet individuale janë për të kompletuar individin në shoqëri. Obligimet shoqërore janë për të kompletuar shoqërinë. Agjërimi nuk është çështje tjetër pos që i gjithë populli të ndjejë të njëjtën uri dhe të njëjtën dhimbje dhe të njëjtin gëzim në të njëjtën kohë. Zekati është obligim i individit i cili ka detyrë ndaj shoqërisë. Kryerja e këtij obligimi e rrit përkrahjen dhe solidaritetin social në mes komunitetit.
Adhurimet e përbashkëta janë adhurime për të krijua stabilitetin moral, social dhe që të kompletohet shoqëria si shoqëri.
- Kompletimi politiko-ushtarak: Muslimani nuk duhet të jetë vetëm një statujë e kësaj bote e për të arritur këtë duhet të kompletohet si në fushën e ibadetit ashtu edhe në fushën politiko-ushtarake. Nuk ka dobi prej atij i cili angazhohet vetëm në adhurim dhe nuk përgatitet politiko-ushtarakisht.
Kur’ani na tregon për pejgamber të cilët kanë qenë vetëm pejgamber dhe jo udhëheqës. Po ashtu edhe për pejgamber që kanë qenë edhe pejgamber edhe udhëheqës. Po ashtu edhe për pejgamber që ka qenë pejgamber, udhëheqës edhe inxhinier siç është rasti i Dhulkarnejnit. Muhamedi a.s. i dërguari i fundit dhe vula e pejgamberëve gjatë periudhës së pejgamberisë së tij ka kaluar në dy etapa:
- Në etapën e Mekës ku ka qenë vetëm pejgamber; dhe
- Në etapën e Medinës ku ka qenë edhe pejgamber, udhëheqës dhe komandant suprem i forcave të armatosura. Biografia e Muhamedit a.s. na tregon se ai ka qenë i kompletuar politiko-ushtarakisht. Nëse e shikojmë ajetin “Dhe ju në pejgamberin e Allahut e keni mostrën më të mirë.” (El Ahzab) nuk ka të bëjë me pasimin e tij vetëm në çështje të adhurimit por edhe në pasimin e tij në çështjet politiko-ushtarake.
Dhe… në fund. Nëse turpi është i mangët, mendja e mangët, ibadeti i mangët, nuk mund të jetë muslimani komplet. Muslimani duhet të thellohet në dimensionet e meditimit për të zbuluar thesaret e kësaj bote. Muslimani duhet të forcohet me karaktere fisnike. Muslimani duhet të mbledh nektarin e njohjes të të gjitha fushave. Muslimani duhet pasuar rrugën e arsimimit, edukimit dhe të drejtësisë sociale. Muslimani duhet të bëjë ndriçimin e mendjes me shkencë, dituri dhe teknologji. Muslimani duhet të ndriçoj dritën e zemrës dhe të besimit dhe të mos jetoj në errësirë. Muslimani duhet të jetë komplet e jo i mangët sepse mangësia është virtyt i huaj për muslimanin.