Në barnatoren e lutjeve

Dr. Musli Vërbani

  

Në barnatoren e lutjeve

 

Lutja është pjesë e natyrës njerëzore. Përndryshe lutja është një veprim për kërkesë falje, lavdërimi, kërkesë për largimin e vështirësive, kërkesë e ndonjë begatie ose falënderim.

Kur Aishja r.a. e ka pyetur Muhamedin a.s. se cilën lutje ta bëjë në natën e Lejletul Kadrit, Muhamedi a.s. i ka thënë:

O Zoti im, Ti je falës,

e do faljen,

më fal mua.

 

Përndryshe lutja është:

  • Armë e besimtarit;
  • Shtyllë e fesë;
  • Thelb i adhurimit;
  • Ushqim shpirtëror dhe mendor;
  • Shpresë dhe kërkesë drejtuar Allahut xh.sh.; dhe
  • Dritë e qiejve dhe e Tokës me të cilën qetësohen zemrat dhe shpirtrat.

 

Kur të lutesh:

  • Lute Zotin me zemër;
  • Me shpresë;
  • Me durim;
  • Me sinqeritet;
  • Me bindje të thellë; dhe
  • Me vendosmëri.

 

Dije se lutja ka:

  • Shtyllat;
  • Degët;
  • Kohën; dhe
  • Arsyen; e saj.

 

  • Nëse e qëllon shtyllën, forcohesh;
  • Nëse i qëllon degët, lartësohesh;
  • Nëse e qëllon kohën dhe arsyen, shpëton.

 

  • Shtylla e saj është që të bëhet me gjithë zemër dhe duke shpresuar në Allahun;
  • Degët e saj janë sinqeriteti dhe ushqimi hallall;
  • Koha është kur njeriu është i vetmuar dhe i qetë shpirtërisht;
  • Arsyet e pranimit janë salavatet mbi Muhamedin a.s.

 

Zoti i Lartmadhëruar gëzohet kur besimtari i lutet Atij, ndërsa hidhërohet kur besimtari e braktis lutjen. Zoti i Lartmadhëruar i ka thënë Muhamedit a.s. në Kur’anin fisnik:

“E kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së atij që lutet…”.

 

  • Njeriu ndonjëherë sëmuret dhe e humb shëndetin dhe pasurinë;
  • Ndonjëherë pikëllohet;
  • Ndonjëherë tradhtohet; e
  • Ndonjëherë frikohet.

 

Përpos lutjeve të falënderimit, lavdërimit, kërkim faljes, njeriu ka nevojë të lutet edhe për tejkalimin e vështirësive, e për këtë duhet të shkojë tek barnatorja e lutjeve. Barnatorja e lutjeve i ka këndet e veta dhe duhet shikuar në barnatore llojin, formën dhe mënyrën e lutjes, për rastin e caktuar. Të shikojmë disa kënde të lutjeve në barnatoren e lutjeve sipas Kur’anit dhe efekti i tyre shërues në ato raste:

 

  1. Këndi i barnatores për fëmijë, sëmundje dhe pasuri

 

Nëse ndodhë dhe humb pasuri, s’ke fëmijë, mbetesh i vetmuar, mos ngurro por lutju Zotit dhe thuaj:

“Më gjeti fatkeqësia, kurse Ti je më i Mëshirshmi i të gjithë mëshiruesve.

Zoti do të përgjigjet ashtu siç iu përgjigj Ejubit a.s.:

Iu përgjigjëm nga mëshira Jonë dhe fatkeqësinë që e mundonte ia hoqëm, dhe ia dhamë familjen, dhe krahas tyre edhe aq (ia dyfishuam familjen), që të jetë mësim për adhuruesit.” (El-Enbija, 83-84)

 

Mos mendo se kjo ka të bëjë vetëm me pejgamberët dhe posaçërisht për Ejubin a.s., përkundrazi Kur’ani e tregon këtë rast se kur të ketë raste të tilla le të luten njësoj se Ai Allahu do t’ju përgjigjet atyre ashtu siç ju ka përgjigj Ejubit a.s.

 

  1. Këndi i barnatores për pikëllim dhe zemërim

 

Nëse je i zemëruar, i pikëlluar lutju Zotit dhe thuaj:

“Nuk ka Zot përveç Teje, Ty të takon Lavdërimi, Unë me të vërtetë isha prej të padrejtëve.”

Mos mendo se kjo ka të bëjë vetëm me Junusin a.s. i cili ishte në momentet më të vështira, në thellësi të detit, në errësirën e barkut të peshkut, sepse kjo tregon se ashtu siç Junusit a.s. i është përgjigj ashtu do t’ju përgjigjet edhe atyre të cilët janë në vështirësi dhe në pikëllim:

“Iu përgjigjëm dhe e shpëtuam nga ajo që e shtrëngonte. Kështu Ne i shpëtojmë besimtarët.” (El-Enbija : 87, 88).

Pas lutjes me vendosmëri largohet pikëllimi dhe zemërimi.

 

  1. Këndi i barnatores për fëmijë

 

Fëmija është dritë e jetë dhe kopsht i kësaj bote. Nëse nuk ke fëmijë shiko në barnatoren e lutjeve dhe lutju Zotit:

“O Zoti im, mos më lër të vetmuar, e Ti je trashëgimtari më i mirë.”

Mos mendo se kjo ka qenë mrekulli e Zekerija a.s. pasi që ishte plakur, eshtrat iu kishin dobësuar, ishte thinjur i tëri, gruaja e tij ishte plakur, por kur iu lut Zotit t’i japë fëmijë, Zoti ia plotësoi dëshirën dhe ia dhuroi djalin (Jahja), i cili ishte edhe pejgamber, i ditur, i urtë, i sjellshëm për familjen dhe i devotshëm. Përkundrazi, kjo është lutje të cilën duhet thënë edhe ata të cilët nuk kanë fëmijë dhe Zoti do t’ju përgjigjet ashtu siç iu është përgjigj Zekerija a.s.:

“Iu përgjigjëm dhe atij i dhuruam Jahjanë.” (El-Enbija : 89)

Lutja në fjalë është për çdo çift bashkëshortor të cilët ende nuk e kanë përjetuar gëzimin e fëmijës.

 

  1. Këndi i barnatores për sigurim nga tradhtia dhe mashtrimet

 

Nëse e ndjen se dëshirojnë të tradhtojnë atëherë lutju Zotit:

“…dhe unë i lë në kompetencë të Allahut çështjet e mia. Vërtetë Zoti i sheh robërit.”

Pastaj Zoti do të shpëton nga të këqijat e lajkave të tyre siç tregon Zoti i Lartmadhëruar:

“Dhe Zoti e mbrojti nga të këqijat e të cilave e tradhtuan.”

 

  1. Këndi i barnatores për largim të stresit dhe frikës

 

Nëse dëshiron të sigurohesh nga stresi dhe frika atëherë lutju Zotit:

“Më mjafton Allahu, Ai është Ndihmëtari dhe Mbrojtësi më i mirë.” (Ali Imran : 173)

Atëherë Zoti frikën do ta zëvendësojë me siguri dhe qetësi shpirtërore dhe në mirësi, siç e tregon ajeti fisnik:

“Dhe iu shndërrua në begati prej Zotit dhe në mirësi dhe nuk i përfshiu asnjë e keqe por vetëm kënaqësia e Zotit.” (Ali Imran : 174)

 

Barnatorja e lutjeve është e mbushur me lutje andaj mos hezito por lutju Zotit se ai të përgjigjet për:

  • Shërimin;
  • Tejkalimin e rreziqeve;
  • Tejkalimin e fatkeqësive; dhe
  • Shtimin e të mirave; dhe kërkesave tjera.

Lini një koment