Dr. Musli Vërbani
“Politika në islam”, “islami politik” dhe “politika islame”
Termi politikë na është bërë term i përditshëm, përpos kësaj, dëgjojmë për termin politikë islame dhe ndonjëherë dëgjojmë për politikën në islam, e ndonjëherë islami politik, kështu që do të sqarojmë këto çështje si në vijim:
- Politika në islam;
- Islami politik; dhe
- Politika islame.
-
Politika në islam.
Politika është shkencë e cila ka rëndësi të posaçme, është profesion i dobishëm dhe me vlerë, sepse merret me mirëqenien e qytetarit. Është veprimtari me të cilën njerëzit mund të afrohen dhe të jetojnë në harmoni mes tyre.
Në të drejtën islame ekzistojnë tri lloje të raporteve:
E para: Raportet njeri-Krijues;
E dyta: Raportet njeri-njeri, pra, raportet ndërnjerëzore;
E treta: Raportet njeri-njeri-Krijues.
Sipas të drejtës islame me rregullimin e raporteve ndërnjerëzore merret politika.
Në raporte ndërnjerëzore bëjnë pjesë të drejtat e barabarta të cilat janë të patjetërsueshme të të gjithë pjesëtarëve të familjes njerëzore. Barazia ndërmjet tyre është themel i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë. Kush i shkel të drejtat e një pjesëtari të familjes njerëzore ai ka bërë mëkat të madh.
Ashtu siç fjala mund të jetë e drejtë dhe jo e drejtë, ashtu edhe politika mund të jetë politikë e drejtë dhe jo e drejtë, kështu që politika e drejtë nuk mund të jetë në kundërshtim me ligjin e Allahut, por përkundrazi harmonizohet dhe përputhet me të.
Ashtu siç është farz të bashkëpunohet në largimin e të keqes, ashtu edhe politika e drejtë është farz.
Sa i përket çështjes së politikës në islam ekzistojnë dy mendime (drejtime):
- Politika është haram;
- Politika është farz.
- Politika është haram.
Ky drejtim mendon që politika është haram dhe se demokracia është pabesim dhe mëkat i madh.
Ky mendim i përket havarixhëve, të cilët argumentonin se demokracia insiston qeverisjen e popullit me popull, ndërsa në islam populli nuk është gjykues dhe qeveritar, sepse qeveritar është vetëm Allahu, ata citojnë ajetin kur’anor: “Vërtetë gjykimi dhe qeverisja i takojnë vetëm Allahut.” (El-Enam : 57). Këtij deklarimi i është përgjigjur Aliu r.a. me fjalët: “Fjali e saktë, por me të kanë qëllim të keqen.”
Me anë të këtij mendimi synohet që demokracinë ta gjykojnë si çështje të urryer ose pabesim. Ata që janë të këtij mendimi ose nuk e njohin realitetin ose nuk dëshirojnë ta njohin realitetin, me fjalë tjera nuk dëshirojnë ta kuptojnë esencën e demokracisë. Nëse analizohet esenca e demokracisë, kuptohet se ajo e ka burimin prej islamit. Esenca e demokracisë është që njerëzit të zgjedhin qeverinë e cila e udhëheqë politikën dhe çështjet e tyre dhe njëkohësisht vetë populli ka të drejtë të kërkojë llogari nga qeveria nëse gabon.
Me anë të këtij mendimi pikësynohet që të largohen muslimanët nga Islami gjithëpërfshirës dhe të izolohen. Me anë të këtij mendimi i ndajnë muslimanët në musliman politik dhe musliman të devotshëm e që pastaj muslimanët që merren me politikë i urrejnë duke i quajtur mëkatarë ose pabesimtarë.
Përpos mendimit se politika është haram ekzistojnë edhe thënie të cilat nuk e kanë bërë haram politikën por që e kanë urryer për shkak se janë dëshpërua nga politika pasi që kanë vuajtur shumë prej politikës dhe politikanëve të padrejtë, siç ka qenë rasti me Muhamed Abduhun i cili pasi që është torturuar dhe ka përjetuar tradhti politike thuhet të ketë thënë:
“Kërkojmë mbrojtje prej Allahut nga politika;
– edhe prej atij i cili merret me politikë;
– edhe prej çështjes së politizuar;
– edhe prej udhëheqësit politik;
– edhe prej të udhëhequrit politik.”
- Politika është farz.
Politika në islam është farz nga shkaku se bashkëpunimi në largimin dhe parandalimin e të keqes është farz. Thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Ju jeni umeti më i mirë, i zgjedhur prej njerëzve, sepse urdhëroni në të mira dhe largoni nga të këqijat dhe besoni në Allahun.” (Ali Imran – 110)
E keqja parandalohet me dorë, nëse nuk mundet me dorë atëherë me gojë. Largimi i të keqes me gojë ka të bëjë me politikën sepse me shprehje të lirë parandalohet e keqja, ndërsa largimi i të keqes me dorë është detyrë e atyre të cilët kanë marrë përgjegjësi politike, e atyre të cilët janë votuar për të marrë përgjegjësi politike, thënë me fjalë tjera e qeverisë.
Nëse e para dhe e dyta nuk funksionojnë, atëherë bëhet largimi (urrejtja) me zemër, mirëpo në këtë rast imani është më i dobët sepse ajo e mundon zemrën dhe nuk lejon pajtim me të keqën mirëpo është e paaftë të marrë masa për të larguar të keqen.
Ndoshta dikush mendon se e keqja ka të bëjë vetëm me prostitucionin, pirjen e alkoolit dhe të ngjashmet, por e vërteta është se e keqja është e shumëllojshme, si:
– keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi i pasurisë publike;
– korrupsioni;
– keqpërdorimi i mjeteve dhe mbulesat me falsifikime;
– shpërlarja e parave;
– abuzimi me simbole kombëtare;
– monopolizimi i artikujve për të cilat ka nevojë populli;
– emërimi në poste i personave jo adekuat; etj.
Imani e obligon muslimanin që të mos qëndroj indiferent ndaj të keqes pa marrë parasysh ajo e keqe a i takon politikës, ekonomisë apo kulturës.
Përgjegjësia politike është raport specifik ndërmjet qeveritarëve të zgjedhur në një anë dhe zgjedhësve në anën tjetër. Përgjegjësit politik janë debitorët, votuesit janë kreditorët. Kjo është ajo që në të drejtën islame quhet BEJ’A (Debitori-Kreditori) që në çështje konkrete quhet shit-blerje.
Allahu i dënon ata që i përkrahin të padrejtit. Thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Mos anoni dhe mos u mbështetni në ata të cilët bëjnë padrejtësi.” (Hud : 113)
Zoti i ka mallkuar popujt të cilët iu kanë nënshtruar qeveritarëve të padrejtë dhe nuk janë angazhuar në rrëzimin e tyre prej qeverisjes, siç është rasti me popullin e Firaunit (Faraonit) dhe të Nuhut a.s.
Për popullin e Firaunit Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe ai (Firauni) e frikësoi popullin e vet dhe iu përulën. Ai (popull) me të vërtetë u bë popull mëkatarë.” (Zuhruf : 54)
Për popullin e Nuhut Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe e kanë pasuar atë i cili nuk i ka shtuar as pasurinë e tij (e ka shkatërruar) dhe as pasardhësit (fëmijët e tij), por vetëm i ka shpie në humbje dhe shkatërrim.” (En-Nuh : 21)
Kur’ani e ka kritikuar ashpër qeverisjen dhe qeveritarët e padrejtë, politikanët puthadorë (servil) dhe materialist, politikanët të cilët e shfrytëzojnë djersën e qytetarit për interes të tyre.
- Qeveritarët e këqij i përfaqëson Firauni, i cili ka qenë kryelartë.
- Politikanin puthadorë të sundimtarit të padrejtë e përfaqëson Hamani (këshilltari i Firaunit). Të tillët si Hamani i ndihmojnë qeverisjes së keqe.
- Politikanin materialist e përfaqëson Karuni, i cili e ka investuar kapitalin shtetëror për të fituar kapitale të shumta personale, pra, qeverisjen e ka shfrytëzua për interes material personal.
Musa a.s. përfaqëson popullin i cili është ngritur kundër qeverisjes së keqe. Thotë Zoti i Madhëruar: “Ne Musain e kemi dërguar me mrekullitë Tona dhe me argumente të qarta te Firauni, Hamani dhe Karuni, por ata thanë: – Është magjistar dhe gënjeshtar.” (El-Muëminunë : 23, 24)
Dhe në fund: Islami e konsideron çështje të urryer (mekruh) që imam i namazit të jetë ai, të cilin xhemati e urren dhe nuk e do. Këtë e kemi në thënien e Muhamedit a.s.: “Tre personave nuk iu ngrihet as një pëllëmbë mbi kokë namazi…e prej tyre të parin e ka përmendur:…njeriu i cili bëhet imam (udhëheqës) i një populli kur atë e urrejnë apo nuk e duan. Nëse kjo ka të bëjë me namazin, po si qëndron puna me çështjet e jetës dhe të politikës?.
-
Islami politik
Laicizmi është i ndërtuar mbi bazën e ndarjes së fesë nga shteti. Me këtë ka për qëllim që feja të mos e marrë qeverisjen shtetërore, mirëpo që të dyja të funksionojnë të ndarë nga njëra tjetra.
E vërteta është se feja islame nuk merret vetëm me adhurim por është edhe sistem i jetës.
Islami është fe në bazë të asaj se i rregullon marrëdhëniet e njeriut me Zotin e tij, ku bëjnë pjesë namazi, agjërimi, zekati, haxhi e të ngjashme.
Islami është sistem i jetës në bazë të asaj se i rregullon marrëdhëniet reciproke ndërmjet njerëzve, raportet e individit me individin, raportet e individit me shoqërinë, si dhe raportet e një shoqërie me një shoqëri tjetër. Në këto ligje bëjnë pjesë:
- e drejta familjare;
- e drejta qytetare;
- e drejta penale;
Këto (tri lloje të së drejtës) quhen Muamelat.
Islami është fe absolute (gjithëpërfshirëse) dhe assesi nuk mund të quhet (islam) politik.
Të quhet islami islam politik do të thotë të shkëputet nga pjesa e parë e adhurimit në Zotin (ibadet), mirëpo me dashje apo pa dashje muslimanët pa e njohur të vërtetën e quajnë islamin islam politik, i cili si term rrjedh nga laicistët të cilët i frikësohen qeverisjes nga muslimanët, kështu që:
- namazin e bajrameve e konsiderojnë si namaz politik;
- namazin e xhumasë e konsiderojnë namaz politik;
- leximin e pjesëve të Kur’anit e konsiderojnë lexim politik;
- leximin e biografisë së Muhamedit a.s. e konsiderojnë lexim politik.
Është e vërtetë se islami ka shumë çështje të cilat janë thelb i politikës por assesi nuk mund të quhet islam politik sepse atëherë do të zhvishej nga baza e saj e cila është Njohja dhe nënshtrimi ndaj Krijuesit.
-
Politika islame
Politika islame bazohet në pesë të drejta vitale (DARURIJAT HAMSE):
– e drejta elementare e lirisë fetare dhe sigurimit fetarë;
– e drejta elementare e sigurimit të jetës së njeriut. Sigurimi dhe garancia i jetës;
– e drejta elementare e sigurimit të pasurisë në politikën e pasurisë;
– e drejta elementare e sigurimit familjar-kombëtar në politikën e paqes;
– e drejta elementare e sigurimit fiziko-psikik në politikën arsimore, kulturore, edukative, etj.
Islami është sistem konsultativ dhe parlamentar. Qeveria e ka për obligim që të konsultohet me ekspertët e të gjithë lëmenjve. Kuvendi dhe sistemi parlamentar është çështje themelore në Islam. Thotë Zoti i Lartmadhëruar: “… dhe konsultohen në mes vete.” Po ashtu edhe Muhamedit a.s. i cili ka qenë pejgamberi i fundit Zoti i Lartmadhëruar i ka thënë: “… dhe konsultohu për thellësinë e çështjes.”
Muhamedi a.s. ka qenë Pejgamber, Imam dhe udhëheqës, e pas tij udhëheqjen e muslimanëve për çështjet fetare dhe politike e kanë vazhduar Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu, këta janë ata të cilët e kanë vazhduar planprogramin e tij, kanë qeverisur umetin me drejtësi dhe barazi, kanë udhëhequr me dituri dhe iman (besim) të plotë.
Muslimanët mund të jetojnë në shtetin islam ku në atë shtet e drejta e minoriteteve është e garantuar dhe liritë fetare të tyre janë të garantuara, por mund të jetojnë edhe në shtet jo islam ku muslimanët janë minoritet ku e zhvillojnë jetën fetare të tyre.
Politika islame nuk mund të jetë në kundërshtim me të drejtën, lirinë, barazinë e familjes njerëzore, por përkundrazi, siguron liri, barazi, drejtësi, për të cilën edhe është shpallur feja islame.