Dr. Musli Vërbani
DUAJA E HATMËS SHQIP
Të falënderojmë o Zot i të gjithë botëve. përshëndesim dhe kërkojmë bekim për të dashurin Tënd dhe tonin, Muhamedin a.s..
O Zot!
Na prano, Ti di dhe dëgjon.
Na fal, Ti je Falës dhe Mëshirues.
O Zot! Na udhëzo në rrugën e drejtë dhe të vërtetë për nder të Kur’anit famëlartë, dhe për nder të dërguarit tënd, i cili është më fisniku i fisnikëve.
O Zot! Na prano përfundimin e leximit të Kur’anit fisnik, na përmirëso nëse kemi harruar diçka, apo kemi bë ndonjë lëshim.
O Zot! Na bëj që Kur’anin ta lexojmë, me leximin me të cilin pajtohesh Ti dhe kënaqesh me atë lexim.
O Zot! Kur’anin bëje dëshmi për ne, dhe jo akuzues për ne.
O Zot! Bëje Kur’anin i cili na ndalon të ndaluarën dhe na lejon të lejuarën, dhe na bëj që Kur’anin ta lexojmë me përkushtim dhe përpikëri.
O Zot! Na bëj që të përfitojmë nga Kur’ani e të na drejtoj drejt rrugës së xhenetit.
O Zot! Na mëshiro për hir të Kur’anit, na pajis me dituri prej diturisë së Kur’anit, me dituri e cila na qetëson zemrat dhe na sjell lumturi në jetën tonë.
O Zot! Na bëj prej lexuesve të posaçëm të Kur’anit, na zbukuro me bukurinë e Kur’anit, na fisnikëro me fisnikërinë e Kur’anit, na kurorëzo me kurorën e Kur’anit.
O Zot! Na dërgo në xhenet me ndërmjetësim të Kur’anit.
O Zot! Bëje Kur’anin bashkudhëtar të udhës së jetës sonë, ndihmëtar në varr, ndërmjetësues në ditën e Kijametit, dritë për kalimin e urës së xhehenemit, shoqërues në xhenet, dhe pengues për në xhehenem.
O Zot! Bëje Kur’anin prijës të çdo të mire në jetën tonë.
O Zot bëje Kur’anin edukues të mendjeve tona, dritë të zemrave tona, ngushëllues të mërzive tona, largues të brengave tona, dhe forcues të paaftësive tona.
O Zot! Na përkujto, mos na bëjë harrestar, na mëso dhe mos na lejo të jetojmë në injorancë.
O Zot!
Na fal mëkatet,
na largo brengat,
na mbulo të metat,
na shëro të sëmurët,
na i mëshiro të vdekurit,
na i udhëzo familjet,
na dhuro pasardhës të mirë,
vërtetë Ti i dëgjon lutjet.
O Zot! Na dhuro prej bashkëshortëve dhe pasardhësve të cilët na qetësohet zemra dhe na bëjë shembull për të devotshmit.
O Zot! Na ndihmo, na shpëto, na bëjë që dituria jonë e dobishme të praktikohet, veprat tona të shpërblehen, dhe përfundimi i jetës sonë të jetë me Kur’an.
O Zot! Na përkujto gabimet të cilat i bëjmë gjatë këndimit të Kur’anit, mos na lejo që të harrojmë këndimin dhe veprimin me Kur’an, por bëna që Kur’anin ta kemi në zemra dhe mendje tona.
O Zot! Bëna që Kur’anin ta lexojmë vazhdimisht dhe pandërprerë, në mes të ditës dhe në thellësi të natës.
O Zot! Bëje Kur’anin truprojë për ne në ditën e gjykimit, o Mëshiruesi i të gjithë mëshiruesve, o Fisnikërues i të gjithë fisnikëruesve. Ty të takon Lavdërimi, Madhërimi dhe Falënderimi.
El – FATIHA