Dr. Musli Vërbani
Për të qenë thirrësi islam i suksesshëm
Fjala Daëve është fjalë që në gjuhën arabe do të thotë thirrje apo ftesë. Vetëm fjala daëve ka kuptim të ftesës së përgjithshme, mirëpo nëse themi Daëve Islamije kemi për qëllim thirrjen apo ftesën në Islam.
Thirrja në Islam është përgjegjësi serioze dhe e rëndësishme të cilën duhet marrë me përgjegjësi të madhe sepse ka të bëjë me përhapjen e fjalës së Allahut, FJALË e cila duhet të mbizotërojë në mbarë njerëzimin.
Pasi që edhe vet fjala ka kuptim të përgjithshëm atëherë edhe thirrja në islam është shumëdimensionale, gjë që jep të kuptojë që secili në lëmin e vet mund të bëjë daëve, pra edhe zbulimi shkencor është pjesë e daëves, edhe kontributi në arsim dhe shkencë është pjesë e daëves.
Thirrja praktike në islam është më e suksesshme se thirrja teorike. Zoti i Lartmadhëruar i ka thënë Muhamedit a.s. ta veproj atë të cilën e kumton: “O i dërguar. Kumto atë çka të është zbritur prej Zotit tënd dhe nëse nuk e vepron (atë që të është shpallur) atëherë ti nuk e ke kryer detyrën e shpalljes (ftesës).” (Et-Tevbe)
Nuk është thirrje në islam vetëm me fjalinë “Pranoje islamin se përndryshe do të shkosh në xhehenem.”. Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: “E kush është më zëëmbël se ai që thërret në rrugën e Allahut, bënë vepra të mira dhe thotë: Unë jam prej muslimanëve.” (El-Fussilet : 33)
Zoti i Lartmadhëruar i ka thënë Muhamedit a.s.:
“Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me:
urtësi,
këshillë të mirë dhe
polemizo me ata (kundërshtarët) në mënyrën më të mirë.” (Nahl : 125)
Mënyra e thirrjes duhet të jetë sipas asaj që vetë i dërguari i Allahut e ndoqi për 23 vjet, pra shëmbëlltyra e tij është bazë në daëve.
Feja islame ka zbritur për:
Thellësi;
gjerësi; dhe
gjatësi.
Sa i përket gjatësisë është që feja islame ka zbritur për të gjitha kohërat, pra për të gjitha gjeneratat deri në Ditën e Kijametit.
Nuk është thirrës islam ai i cili nuk e di historinë të cilën e tregon Kur’ani, disa prej tyre janë:
- Historia e Musës a.s. me Firaunin a.s.;
- Historia e Ibrahimit a.s. me të atin;
- Historia e Musaut a.s. me Hidrin, etj.
Histori të tilla përsëriten në forma tjera dhe me aktorë tjerë në perioda të ndryshme deri në Ditën e Kijametit.
Sa i përket gjerësisë është se feja islame ka zbritur për të gjithë popujt për të gjitha vendet.
- Nuk është thirrës islam ai i cili dëshiron përhapjen e islamit në perëndim duke tentua të fus zakone të cilat janë të lindjes por që nuk janë të islamit.
- Nuk është thirrës islam ai që natyrshmërinë e vet e plason si ‘natyrshmëri islame’ dhe kështu në vend se të udhëzojë bëhet pengesë për udhëzim.
- Nuk mund të jetë thirrës i suksesshëm ai që përdor fjalë fyese dhe ofenduese, fjalë përbuzëse dhe sharje (qoftë edhe ndaj zullumqarëve) me urrejtje e neveri. Zoti i Lartmadhëruar i ka thënë Musait a.s. që kur ta thërret Firaunin ta thërret me fjalë të buta: “Atij thojini fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.”
- Thirrja në islam është art dhe shkencë në vete sepse është thirrje për Allahun, i cili i ka emrat më të bukur, e si mund të thirret në islam me fjalë të këqija kur Allahu i ka emrat dhe atributet më të bukur. Thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Dhe Allahu i ka emrat më të bukur dhe thirreni me ato emra.”
Sa i përket thellësisë është që feja islame ka zbritur për çdo çështje që i nevojitet njeriut.
- Nuk është thirrës ai i cili nuk ka njohuri për të drejtat e njeriut dhe jo vetëm që i shkel të drejtat elementare të njeriut por edhe thërret në shkeljen e të drejtave elementare të njeriut.
- Nuk mund të jetë thirrësi i suksesshëm në islam kur nuk e njeh fikhun islam. Thërret në islam me ‘sunet’ pa e ditur fikhun. Nuk mund të kuptohet suneti pa fikh. Fikhu me sunetin (hadithin) është sikurse farmacisti me mjekun, farmacisti i jep barnat por nuk ka njohuri për sëmundjet, mjeku e jep udhëzimin e barnave pas elaborimit (ekzaminimit) dhe detektimit të sëmundjes. Fekihu është ai i cili e ka analizua sunetin dhe është ekspert i sunetit. Nuk ka sunet pa fikh edhe nëse ai sunet (hadith) është i vërtetë.
- Nuk mund të jetë njeriu i suksesshëm në daëve kur nuk ka njohuri për historinë e politikës islame.
- Nuk mund të jetë thirrësi i suksesshëm kur nuk e njeh historinë e sheriatit.
- Nuk mund të jetë thirrësi i suksesshëm kur ai nuk ka njohuri për qytetërimin bashkëkohor.
- Nuk mund të jetë thirrësi i suksesshëm kur nuk ka njohuri për filozofinë qeverisëse të vendeve të botës apo të vendit në të cilin jeton.
Dhe në fund: Thirrësi islam duhet të ketë njohuri për përmisimin e gjendjes morale, shoqërore dhe politike, e jo për krijimin e krizës shoqëroro-politike. Dihet se gjendja shpirtërore tek njerëzit ndryshon. Ka prej njerëzve të cilët janë të devotshëm dhe ka prej tyre jo të devotshëm dhe për shkak se thirrësi duhet të jetë i devotshëm nuk do të thotë se ai duhet të jetë kryelartë (arrogant) ndaj tjerëve sepse dihet se mëkatet e zemrës janë më të rrezikshme se mëkatet e pjesëve të trupit. Kryelartësia është më e keqe se pirja e alkoolit. Për alkool ekziston zbatimi i dënimit të menjëhershëm, ndërsa për kryelartësi ekziston dënimi në botën tjetër.