“Minare” apo “Meëdhen”

Dr. Musli Vërbani

 

“Minare” apo “Meëdhen”

 

Qabja e cila është shtëpia e parë për adhurim ndaj Allahut nuk ka pasur minare (meëdhen), e as xhamia e Muhamedit a.s. në Medine nuk ka pasur minare (meëdhen).

Dihet se  pasi që është bërë namazi obligim, muslimanët janë tubuar dhe janë konsultuar se si ta bëjnë lajmërimin për namaz. Në atë tubim janë paraqitur disa propozime:

  • disa propozuan t’i bihet borisë sikurse te krishterët;
  • disa propozuan t’i fryhet bririt sikurse te jehuditë;
  • propozimi i Omerit r.a. ishte që thirrja të bëhet prej zërit të njeriut me ç’rast u miratua edhe nga vetë i dërguari i All-llahut.

Ezani është sunnet i rregullt (sunnet muekede), ndërsa për një lagje edhani (ezani) është sunnet kifaje.

Bilalli r.a. para ezanit të sabahut shkonte nëpër rrugicat e Medines dhe i thërriste muslimanët që të përgatiteshin për namaz.

Në kohën e Omerit r.a. është rritur dhe është zhvilluar qyteti i Muhamedit a.s. kështu  që bujqit, tregtarët, nuk mund ta dinin kohën e hutbes së xhumasë për këtë arsye e shtoi edhe ezanin e dytë  i cili ezan thirrej prej kodrinave më të afërta të Medines, ndërsa ezani i parë thirrej para hutbes së xhumasë, i cili ezan është i përmendur në Kur’an në suretul Xhumua: “O ju që keni besuar kur të thërret ezani për në namazin e xhumasë shpejtoni për ta falur namazin e xhumasë dhe ndërprejeni shitblerjen”. (Suretul Xhuma,1)

Me kalimin e kohës u zgjerua feja Islame dhe me zgjerimin e saj edhe vendbanimet Islame. Deri në atë kohë xhamitë nuk kanë pasur as kupola por  kanë qenë të hapura dhe me shatërvanë (ballkone) në të katër anët ndërsa mesi i hapur ashtu siç është Qabja e bekuar.

Pasi hynë në islam dy perandoritë më të mëdha të asaj kohe siç ishte perandoria bizantine dhe persiane atëherë filloi interesimi i ndërtimit të xhamive me stil tjetër.

Kupolat e xhamive kryesisht janë të arkitekturës persiane që janë quajtur kube (gjysmëhark) dhe nuk janë quajtur kulme të xhamive.

Përpos kupolave është paraqitur edhe interesimi i ndërtimit të minareve (meëdheneve).

Parashtrohet pyetja: Çka është Minarja (Meëdheni)?

Në gjuhen arabe fjala “nur” do të thotë dritë, ndërsa “minare” vendi i cili ndriçon, pra vend drite.

Në gjuhën arabe fjala “edhan” do të thotë thirrje ndërsa  “meëdhen” do të thotë vend thirrje. Përderisa thirrësi i edhanit (ezanit) quhet Muedhin (muezin).

Edhani është simbol i fesë  ndërsa meëdheni apo minarja është vendthirrja.

Meëdheni ka zënë vend të rëndësishëm në arkitekturën islame e cila më vonë është ndriçuar dhe ky element e ka marrë titullin e Minares për shkak të ndriçimit të saj dhe jo për shkak të thirrjes në namaz prej saj.

Sikurse namazi që i ka shartet ashtu edhe ezani i ka shartet e tij të cilat janë:

  1. Që teksti i ezanit të jetë i renditur do të thotë mos me i thënë dy rreshta me pushu një kohë e pastaj me vazhdua.
  2. Që të thirret ezani pasi të fillojë koha (nuk pranohet që të thirret para se të fillojë koha).
  3. Që të këndohet fillim e mbarim prej një personi do të thotë (mos me i këndua pjesët e para një muezin, e me i vazhdua muezini tjetër).
  4. Që të jetë në gjuhën arabe. Nëse prej xhematit asnjë person nuk e di ezanin në gjuhën arabe lejohet me e thirr në gjuhën e tyre të cilën e kuptojnë.

Në asnjë prej sharteve nuk parashihet që të ndizet drita dhe të ndriçohet meëdheni, qoftë për namaz të akshamit, jacisë dhe sabahut qoftë për tërë ditën.

Përpos sharteve  ezani ka edhe sunetet e tij të cilat janë:

  1. Që muezini të jetë me abdest;
  2. Që muezini të ketë zë të bukur;
  3. Që ezani të këndohet në këmbë e jo ulur (nëse s’ka mundësi në këmbë lejohet ulur);
  4. Gjatë këndimit të ezanit të bëhet në drejtim të kiles.

– kur të këndohet “Hajje ales-salah” muezini kthehet pak në të djathtë.

– kur të këndohet “Hajje alel felah” muezini kthehet pak në të majtë)

Me ndërtimin e meëdheneve atëherë muezini rrotullohej rreth medhenit në sherife me qëllim që të kumtohej lajmi në tërë vendbanimin.

  1. Në ezanin e sabahut sunet është që të shtohen fjalët “Essalatu hajrun minen-nevm” që do të thotë “namazi është më i vlefshëm se gjumi”.
  2. vendosja e gishtave në vesh gjatë këndimit të edhanit.
  3. Që muezini të hipë në ndonjë vend të lartë.

Nga ky sunet është paraqitur interesimi i ngritjes së meëdheneve (pirgjeve) me qëllim që muedhini të ngrihet në një lartësi sa më të madhe që sa më larg të dëgjohet thirrja e tij.

Vendqëndrimi i muezinit në Meëdhen quhet sheref sepse vendi ku thirret ezani ka vlerë dhe rëndësi të veçantë sikurse edhe thirrësi (Muezini) ka rëndësi të veçantë sepse e bën ftesën për namaz.

Me zhvillimin teknologjik muezini nuk hipë në medhen por vendosen zëzmadhuesit në sherife me fjalë tjera aty ku e thërriste muezini ezanin.

Medhenet  vendoseshin në anën e djathtë të mesxhidit me qëllim që të kuptohej drejtimi i kibles (Qabes).

Pozita e Meëdhenit në anën e djathtë i shërbente popullatës që ta gjenin drejtimin e Mekes nëse nuk ishin në xhami.

Qëllimi i ndriçimit të minareve nuk ishte vetëm për informimin  për namaz por edhe për orientimin se aty është xhamia dhe pranë saj apo rreth saj gjendet edhe  qendra tregtare dhe tregtarët, vizitorët, në atë lokacion mund ta gjejnë edhe kuzhinën për ushqim pa pagesë, hanin (bujtinën) për fjetje pa pagesë dhe hamamin (banjot) për pastrim pa.

Pirgjet kanë pas nevojë që të ndriçohen me qëllim që të kuptohet se në ato vende ka xhami dhe qendra tregtare kështu që në vend se të quheshin meëdhen ato pirgje janë quajtur minare të xhamive.

Shihet se meëdheni apo Minarja në të kaluarën ka pasur për qëllim  informimin për xhaminë dhe qendrën tregtare. Për të qenë njoftimi sa më i suksesshëm ishte e nevojshme që të ishte pirgu dhe ndriçimi sa më i madh në mënyrë që të shihej sa më larg.

Forma e minareve te arabët zakonisht ndërtohej në formë katrore, kurse te persianët dhe te osmanlinjtë ndërtohej në formë të rrumbullakët.

Sot minarja konsiderohet simbol i xhamisë ndërsa nuk përmendet se meëdheni është simbol i xhamisë kur dihet se ezani është sunet i namazit, me fjalë tjera thirrje për faljen e namazit pesë herë në ditë.

Është interesant se edhe në të shkruar gjithmonë  thuhet hipi muedhini në minare dhe nuk thuhet hipi muedhini në meëdhen dhe thuaja se asnjëherë nuk përdoret fjala meëdhen, me fjalë tjera përdoret fjala edhan, por nuk përdoret fjala meëdhen.

Lini një koment