Dr. Musli Vërbani
ZEKATI
Zekat d. m.th. shtim, zhvillim, pastrim etj.
Muslimani e jep zekatin, pra pjesën e pasurisë të cilën e ka bërë obligim Zoti i Lartmadhëruar. Në atë mënyrë ai e pastron veten nga gabimet dhe shpreson në Zotin i Madhëruar se do t’ia bekojë pasurinë, do t’ia shtojë pasurinë dhe do të zhvillohet ekonomikisht, sepse u ka ndihmua të varfërve me pasurinë e tij.
Argument nga Kur’ani për zekatin është ajeti:
“Dhe faleni namazin dhe jepni zekatin …”.(El Bekare, 43)
Argument nga suneti për zekatin është hadithi:
“Është ngritur islami mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e Zekatit, agjërimi i muajit të ramazanit dhe haxhi në Qabe kush ka mundësi”. (Buhariu)
Zekati është farz në islam, kush nuk e jep është mëkatar i madh, por kush e mohon dhënien e zekatit ai është pabesimtar, se zekati është shtyllë prej shtyllave të islamit.