Dr. Musli Vërbani
Kurban Bajrami apo IIDI i kurbanit (iidul ed-ha)
Në gjuhën arabe fjala “IIDË” do të thotë kthim, ndërsa në rastin konkret e ka kuptimin e kthimit te Zoti, apo me fjalë tjera e ka kuptimin e pendimit.
Kjo fjalë e gjuhës arabe është e përkthyer në gjuhën turke me fjalën “Bajram” dhe si e tillë është përdorë në popullin tonë. Pastaj gjeneratë pas gjenerate ka vazhduar të përdoret edhe në të shkruar sa që ka mbet kjo si fjalë e vetme e cila përdoret për të zëvendësuar fjalën “IIDË”.
Në Kur’an fjala “IIDË” përmendet te rasti i Isait a.s. kur Havarijunët kërkuan prej tij që Zoti t’i zbres atij një sofër me ushqim. Thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Dhe (përkujto) kur Havarijunët thanë: O Isa, bir i Mejremes, a mund të na zbresë Zoti yt një Sofër me ushqime nga qielli? (Isai) Tha: Kini frikë Allahun nëse jeni besimtarë! (Ata) Thanë: Ne dëshirojmë të hamë nga ajo (sofër me ushqime) dhe të na binden (edhe më shumë) zemrat tona dhe të vërtetojmë bindshëm se na e the të vërtetën e të bëhemi dëshmues të saj! Isai, biri i Mejremes, tha: O Allah, Zoti ynë, zbritna nga qielli një sofër (me ushqime), të na jetë IIDE (festë-kthim te Ti) për paraardhësit tanë dhe pasardhësit tanë, të jetë argument prej Teje dhe dhurona se Ti je Furnizuesi më i mirë!” (El-Maide : 112-115)
Përpos kësaj edhe në hadithin e Muhamedit a.s. në të cilin tregohet se kur ka shkuar në Medine i ka parë banorët e Medinës duke festuar dy ditë të caktuara dhe ka pyetur:
“Çfarë janë këto dy ditë?
Ata u përgjigjën: Në periudhën e injorancës, këto ditë ishin festa për ne.
Pejgamberi a.s. tha: Allahu ua zëvendësoi me dy ditë më të mira, me IIDUL ED-HAN (kurban bajramin) dhe IIDUL FITR (fitër bajramit).”
Nga hadithi kuptohet se kemi dy bajrame (iide):
IIDUL ED-HA – festa e sakrifikimit të kafshës;
IIDUL FITRI – festa e dhënies së zekatul fitrit.
Në popull shumë herë është dëgjuar: Bajrami i madh dhe bajrami i vogël. Në esencë nuk ka bajram të madh dhe bajram të vogël, por ka: kurban bajram (iidul ed-ha) dhe fitër bajram (iidul fitr).
Në kuptimin e festës, në islam kemi të bëjmë me adhurim dhe jo vetëm me festim.
Termi kurban ka kuptimin e ofrimit që do të thotë sakrificë e cila të ofron te Zoti i Lartmadhëruar (bajrami i ofrimit të sakrificës). Termi kurban është përmend në ajetin Kur’anor ku Zoti i Lartmadhëruar i thotë Muhamedit a.s.: “Lexoju atyre ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy ofruan ofrim sakrifice (karreba kurbanen) dhe njërit iu pranua e tjetrit nuk iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: Unë do të të mbys ty. E ai (që iu pranua) tha: Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve.” (El-Maide : 27)
Festa e bajramit manifestohet:
- Duke e falur namazin e kurban bajramit; dhe
- Duke bërë prerjen e kafshës shtëpiake, pra duke prerë Kurbanin.
Që të dyja këto veprime janë veprime adhurime ndaj Zotit të Lartmadhëruar. Kjo argumentohet me ajetin Kur’anor: “Ti falu (fale namazin e kurban bajramit për hir të Zotit tënd) dhe prej kafshë shtëpiake (bëje kurban për hir të Zotit tënd). (Keuther : 2)
Sa i përket namazit të kurban bajramit, falja e namazit është vaxhib dhe koha e faljes fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit dhe është vaxhib si për meshkujt ashtu edhe për femra gjë që nuk është traditë tek ne, ndërsa: “Pejgamberi s.a.v.s. ka kërkuar që edhe gratë të dalin dhe të falin namazin e bajramit.”
Menjëherë pas faljes së namazit të kurban bajramit fillon manifestimi tjetër me therjen e kafshës, pra ofrimit të kurbanit. Ka dallim në mes të prerjes së kurbanit dhe shpërndarjes së mishit të kurbanit. Prerja është vaxhib ndërsa shpërndarja e mishit është sunet. Mishi ndahet në tre pjesë: një pjesë (një e treta) jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët, një e treta i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve. Një e treta ndahet për familjen.
As therja e kurbanit dhe as mishi nuk bëhet për të shkuar te Allahu, por kjo bëhet që ai mish të shpërndahet dhe të përfitojnë të gjithë, si nevojtarët e të varfrit, si fqinjët, qofshin besimtarë qofshin jobesimtarë. Këtë e dëshmon ajeti kur’anor ku Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja e juaj…” (El-Haxh : 37)
Para ditës së kurban bajramit, ditë e cila quhet dita e therjes kemi edhe nëntë ditë tjera ku dita e nëntë është dita më e vlefshme e vitit. Zoti i Lartmadhëruar është përbetuar në dhjetë ditët e para të dhul hixhes, thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë.” (Fexhr : 1). Pra, dhjetë ditët e para të muajit dhul hixhe, janë ditë në të cilat është betuar vet Zoti i Lartësuar në Kur’an. Kurban bajrami forcon raportet njeri-Zot, nëpërmjet tekstit të cilin e thonë haxhilerët, e cila quhet telbije.
Lebejke Allahume lebejke – Të përgjigjem Allahu im, të përgjigjem,
lebejke la sherike leke lebejk – Të përgjigjem Ty që nuk ke shok, të përgjigjem,
inne’l hamde – Falënderimi është vetëm për Ty,
ve’n ni’mete – ndërsa mirësia është vetëm prej Teje,
leke ve’l mulk – Ty të takon sundimi,
la sherike leke lebbejk!! – Ti nuk ke shok, të përgjigjemi!
Gjatë ditëve të bajramit bëhen edhe Lavdërimet dhe Madhërimet ndaj Zotit me tekstin si në vijim:
Allahu ekber, Allahu ekber – Allahu është më i Madhi, Allahu është më i Madhi,
La ilaahe il-laAllahu Allahu ekber – Nuk ka Zot tjetër pos Allahut sepse Ai është më i Madhi,
ve lil-Laahil Hamd – dhe vetëm Atij i takojnë lavdërimet dhe falënderimet.
Agjërimi i ditës së bajramit është i ndaluar që do të thotë se kjo festë nuk manifestohet me agjërim siç festohet dita e arafatit, ditë për të cilën Muhamedi a.s. ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit, i fshin gjynahet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm.”
Në ditën e arafatit me rastin e Haxhit Lamtumirës, Muhamedi a.s. në mes tjerash ka thënë:
“O njerëz! Dëgjojeni fjalën time, sepse unë nuk e di a to t’ju takoj më pas këtij viti, në këtë vend. Gjaku juaj është i shenjtë, pasuritë tuaja janë të shenjta dhe nderi juaj është i shenjtë, siç janë të shenjta në këtë ditë, në këtë muaj, në këtë vend.”
Në ditët e kurban bajramit ka zbritur edhe ajeti kur’anor: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe jam i kënaqur që për ju zgjodha islamin fe…” (El-Maide : 3)
Burimin e urimit të kurban bajramit nuk e dimë, por po i përmendi disa prej tyre: përhajr bajrami; urime festa e bajramit; me fat bajramin; gëzuar festa e bajramit, përhajr kurban bajrami, me fat kurban bajramin, gëzuar festa e kurban bajramit.
Kemi dëgjuar edhe për urimin me tekstin me bereqolla bajramin dhe kthyerja e përshëndetjes alla alla razolla sene bereqolla. Që në përkthim do të kishte kuptimin: Me bereqet (begati) të Allahut Bajrami. Allahu qoftë i kënaqur edhe ty me bereqet (me begati) të Allahut qoftë (bajrami).
Fjala Bajram është marrë nga gjuha turke dhe jo nga gjuha arabe e cila është IIDË e që urimi do të kishte këtë kuptimin: URIME IIDI I KURBANIT, nëse është i papërcaktuar, urimi do të bëhej: URIME IIDI (urime fest-kthimi dhe devotshmëria ndaj Allahut).