Shtimi apo pakësimi i pjesës trashëgimore (el-Auli)

Dr. Musli Vërbani

 

Shtimi apo pakësimi i pjesës trashëgimore (el-Auli)

 

Trashëgimtarët farz, të cilët i plotësojnë kushtet, patjetër duhet të marrin pjesën e tyre që u takon. Por, mund të ndodhë që disa trashëgimtarë ta plotësojnë tërë masën trashëgimore dhe një trashëgimtar farz të mbetet pa trashëgimi. Mirëpo në rregullat e trashëgimisë një gjë e tillë nuk lejohet, sepse farzmarrësi nuk mund të largohet nga trashëgimia, kurse trashëgimtari asaba po. Për këtë arsye, duhet bërë zgjidhje, e zgjidhja bëhet duke i rritur pjesët trashëguese dhe duke zvogëluar hiset e secilit trashëgimtar, me qëllim që të mos dëmtohet asnjë trashëgimtar, e kështu vijmë deri te rregulli i quajtur “Aul”.

“El Aul” në gjuhën arabe do të thotë ngritje, por mund të vijë edhe me kuptimin anim kah padrejtësia.

Me “El Aul” kuptohet:

  • Shtimi i pjesëve të trashëgimisë për shkak të numrit të vogël të trashëgimtarëve; ose
  • Pakësimi i pjesëve për shkak të numrit të madh të trashëgimtarëve të caktuara të trashëgimisë së personave që marrin pjesë të caktuara (farz).

“Auli” nuk ka ndodhur në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. e as në kohën e Ebu Bekri Siddikut. I pari i cili e ka praktikuar “Aulin” është Omeri r.a..

 

Rastet kur nuk ka nevojë për “Aulin” dhe kur ka nevojë për “Aulin”

 

Nëse e vdekura lë pas vetes burrin dhe motrën:

Burrit i takon 1/2;

Motrës i takon 1/2.

Këtu nuk ka nevojë të mendohet për ngritje(Aul), sepse çështja veç është zgjidhur, një pjesë e merr burri dhe një pjesë e merr motra.

auli.jpg

Rasti në të cilin ka ndodhur “auli” është rasti kur një sahabije vdes dhe lë pas vetes burrin dhe dy motra.

Burrit i takonte 1/2 dhe motrave u takonin 2/3.

Pjesa farz ishte më e madhe se sa pjesët trashëguese. Burri me këmbëngulje kërkonte 1/2 e cila i takonte. E edhe motrat me këmbëngulje kërkonin 2/3 që u takonin.

Nëse i jepeshin burrit 1/2, atëherë nuk mbeteshin 2/3 për motrat.

Nëse u jepeshin motrave 2/3 nuk mbetej 1/2 për burrin.

Omeri r.a. u thotë se nuk po e di se cilit prej tyre t’ua pakësojë hisen farz. Pastaj Omeri r.a. u thotë: Pritni deri sa të konsultohem me sahabët. Konsultohet me sahabët, e posaçërisht me Zejd bin Thabitin i cili thotë: Gjeni një emërues të përbashkët të hiseve dhe secili merreni masën e merituar pa u dëmtuar asnjëri. Pastaj sahabët e tjerë e pëlqyen këtë mendim.

Thuhet se Abas ibn Abdul Mutalibi e ka këshillue Omerin r.a të merrte për bazë pakësimin proporcional.

Nga disa thuhet se këtë e ka bërë Aliu r.a.

Pastaj, me këtë veprimjanë pajtuar të gjithë ekspertët e jurisprudencës islame, ndërsa “Auli” ka hyrë në fuqi të sheriatit islam nëpërmjet ixhmait dhe këtë nuk e ka kundërshtuar asnjëri prej sahabëve.

Çështjet në të cilat mund të hyjë auli janë ato që kanë për emërues numrat: 6, 12 dhe 24.

Gjashta mund të bëhet shtatë, tetë, nëntë, dhjetë

dymbëdhjeta mund të bëhet trembëdhjetë, pesëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë.

Njëzet e katra mund të bëhet njëzet e shtatë.

çështjet në të cilat nuk mund të hyjë “auli” janë ato që kanë për emërues numrat: 2, 3, 4 dhe 8.

Mënyra e zgjidhjes së çështjeve të “aulit”:

Duhet të dihet emëruesi e çështjes dhe pjesët që i takon secilit person që merr pjesë të caktuara. Emëruesi të mos llogaritet ndërsa pjesët e tyre të mblidhen, shuma e dalë të bëhet emërues dhe pastaj trashëgimia të ndahet mbi këtë emërues. Në këtë mënyrë, secilit do t’i pakësohet pjesa në bazë të numrit të pjesëve që i takojnë. Kështu evitohet padrejtësia.

Shembull kemi rastin të cilën e përmendem më herët kur një grua vdes, e lë burrin dhe dy motra prej nëne e babai.

Emëruesi i përbashkët i kësaj çështjeje është gjashtë: burrit i takon gjysma që është tre dhe dy motrave dy të tretat që është katër.

Shuma është shtatë e mbi këtë emërues ndahet trashëgimia.

———————————————————————————————————–

Muhamedi s.a.v.s. ka porositur:

“Mësojeni shkencën e trashëgimisë (feraidit) dhe mësojuani të tjerëve, sepse vërtetë ajo është gjysma e diturisë dhe që më së shumti harrohet, ajo është dituria e parë e cila do të ngrihet nga njerëzit.” (Transmeton Ibn Maxhe)

Lini një koment