Dr. Musli Vërbani
Trashëgimia e vëllait dhe motrës prej nëne sipas së drejtës islame
Opsioni i parë
Nuk trashëgojnë asgjë:
- Nëse ekziston pasardhësi trashëgues, si p.sh., djali apo djali i djalit; dhe
- Nëse ekziston paraardhësi trashëgues mashkull, si p.sh. babai apo gjyshi;
- Nëse ekziston nëna apo gjyshja dhe me to nuk është baba apo gjyshi, dhe kësisoj nëna apo gjyshja nuk mbulohet.
Vëllai prej nëne mbulohet prej pasardhësve, paraardhësve dhe vëllait të vërtetë.
Opsioni i dytë
Trashëgojnë një të gjashtën për një person të vetëm, qoftë mashkull apo femër.
“Nëse i vdekuri, qoftë burrë ose grua, është pa prindër dhe fëmijë, por ka vëlla ose motër (prej nënës) atëherë çdonjërit prej tyre u takon një e gjashta.” (En Nisa : 12)

Vëllai prej nëne një të gjashtën, vëllai i vërtetë pesë të gjashtat.
Opsioni i tretë
Trashëgojnë një të tretën për dy dhe më shumë, ku meshkujt dhe femrat trashëgojnë barabartë. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “E në qoftë se janë më shumë (se një vëlla ose se një motër) ata janë pjesëmarrës të barabartë në të tretën (e tërë pasurisë).” (En Nisa : 12)

Burri një të dytën, nëna një të gjashtën, vëllai dhe motra secili nga një të gjashtën që do të thotë së bashku një të tretën.
Muhamedi s.a.v.s. ka porositur:
“Mësojeni shkencën e trashëgimisë (feraidit) dhe mësojuani të tjerëve, sepse vërtetë ajo është gjysma e diturisë dhe që më së shumti harrohet, ajo është dituria e parë e cila do të ngrihet nga njerëzit.” (Transmeton Ibn Maxhe)