Dr. Musli Vërbani
Trashëgimia e motrave të vërteta sipas së drejtës islame
Motrat prej nëne e babai posedojnë pesë opsione:
Opsioni i parë
Nuk trashëgojnë asgjë, atëherë kur:
Ekzistojnë pasardhësit trashëgues meshkuj, si p.sh. djali dhe djali i tij, si dhe paraardhësit trashëgues meshkuj sikurse babai, e kjo me konsensus të dijetarëve (dhe gjyshi tek Ebu Hanife, ndryshe nga Ebu Jusufi dhe Muhamedi).
Opsioni i dytë
Motra trashëgon gjysmën kur:
- Është vetëm një motër;
- Me të nuk ekziston asnjë djalë apo djalë djali;
- Me të nuk ekziston as babai, as gjyshi;
- Dhe me të nuk ekziston as vëlla prej nëne e babai.
Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Ata kërkojnë nga ti (Muhamed) gjykim (për dikë që vdes dhe nuk lë trashëgimtarë). Thuaju: Allahu ju udhëzon juve për një njeri të tillë. Nëse një burrë vdes pa pasur fëmijë (dhe prindër), ndërkohë që ka një motër, atëherë asaj i takon gjysma e trashëgimisë.” (En Nisa : 176)

Burri trashëgon një të dytën, motra e vërtetë një të dytën.
Opsioni i tretë
Trashëgojnë dy të tretat kur:
- Janë dy motra e më shumë;
- Nëse mungojnë meshkuj, pra vëllezërit e tyre;
- Nëse nuk ka lozë të poshtme;
- Nëse nuk ka lozë të epërme;
Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Në qoftë se një burrë pa fëmijë (dhe prindër) ka dy motra, atëherë ato do të trashëgojnë dy të tretat e pasurisë.” (En Nisa : 176)

Nëna një të tretën, motrat dy të tretat.
Opsioni i katërt
Nëse me to është një vëlla prej nëne e babai e nuk ekzistojnë pasardhësit trashëgues meshkuj, si p.sh. djali dhe djali i tij, e paraardhësit meshkuj si baba, atëherë vëllai i vërtetë merr sa dy motra të vërteta.

Dy motrat nga një të katërtën, vëllai një të dytën.
Opsioni i pestë
Motrat kthehen në bashkëpjesëmarrje (asaba) me vajzat ose vajzat e djalit dhe marrin pjesën e mbetur pas pjesës së vajzave apo vajzave të djalit.

Vajza një të dytën, vajza e djalit një të gjashtën, motrat një të tretën. Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: “Motrat vërini së bashku me vajzat në bashkëpjesëmarrje.”
Muhamedi s.a.v.s. ka porositur:
“Mësojeni shkencën e trashëgimisë (feraidit) dhe mësojuani të tjerëve, sepse vërtetë ajo është gjysma e diturisë dhe që më së shumti harrohet, ajo është dituria e parë e cila do të ngrihet nga njerëzit.” (Transmeton Ibn Maxhe)