Dr. Musli Vërbani
Trashëgimia e gjysheve sipas së drejtës islame
Gjyshe e vërtetë konsiderohet:
- Nëna e nënës,
- nëna e babait,
- nëna e gjyshit (nëna e babait të babait).
Kur i vdekuri e ka nënën gjallë gjyshja nuk trashëgon.
Kur mungon nëna, atëherë vjen në pyetje që gjyshja të trashëgoj.
Kjo do të thotë se nëna e mbulon gjyshen.
Argument për këtë është thënia e Pejgamberit s.a.v.s.:
“Jepuani gjysheve një të gjashtën”.
Gjyshet e vërteta trashëgojnë në tri opsione:
Opsioni i parë
Gjyshja mbulohet (përjashtohet) në këto raste:
Nëna i mbulon gjyshet, që do të thotë se kur të jetë nëna, gjyshet nuk trashëgojnë, as gjyshja e atësisë, as ajo e mëmësisë.
Kur i vdekuri e lë babanë, atëherë babai e mbulon gjyshen e atësisë, por nuk e mbulon gjyshen e mëmësisë.
Gjyshja më e afërt e mbulon gjyshen më të largët.
Babai i mbulon gjyshet e atësisë, ndërsa nuk i mbulon gjyshet e mëmësisë, sepse gjyshet e mëmësisë nuk ndërlidhen me të.
Babai i mbulon gjyshet, të cilat i paraprijnë atij (pra të atësisë), që do të thotë se kur të jetë babai, ai e mbulon gjyshen nga babai, por nuk e mbulon gjyshen nga nëna.
Opsioni i dytë
Gjyshja e afërt, nga cilado anë qoftë, e mbulon të largëtën, si p.sh. nëna e nënës e mbulon nënën e nënës së nënës, gjithashtu edhe nënën e babait të babait.
Opsioni i tretë
Nëse i vdekuri lë pas vetes gjyshen (nënën e nënës), ajo trashëgon 1/6 (një të gjashtën).
Nëse i vdekuri lë pas vetes gjyshen (nënën e babait), ajo trashëgon 1/6 (një të gjashtën).
Nëse i vdekuri lë pas vetes që të dyja, gjyshet e vërteta (nënën e nënës dhe nënën e babait), atëherë që të dyja gjyshet e trashëgojnë së bashku 1/6 (një të gjashtën), si p.sh. nëna e nënës dhe nëna e babait.

Nëna e nënës kur të jetë e vetme, trashëgon një të gjashtën.

Nëna e nënës dhe nëna e babës që të dyja së bashku trashëgojnë një të gjashtën.

Nëna e babës kur të jetë e vetme trashëgon një të gjashtën.
Muhamedi s.a.v.s. ka porositur:
“Mësojeni shkencën e trashëgimisë (feraidit) dhe mësojuani të tjerëve, sepse vërtetë ajo është gjysma e diturisë dhe që më së shumti harrohet, ajo është dituria e parë e cila do të ngrihet nga njerëzit.” (Transmeton Ibn Maxhe)