VENDOSMËRIA DHE LEHTËSIMI

Marrur nga “Usuli fikhu islam” i autorit Dr. Vehbetu Zuhejli.

Përktheu: Dr. Musli Vërbani.

 

VENDOSMËRIA DHE LEHTËSIMI

 

Sa i përket ligjësimit të vendosmërisë dhe lehtësimit usulijinët kanë marrë dy drejtime.

  1. Disa mendojnë se është ligji teklifij (obligativ,ngarkues) dhe atë duke u bazuar në atë se që të dyja rikthehen në bazën e vendosjes dhe të zgjedhjes. Vendosmëria është vendosje, ndërsa lehtësimi zgjedhje.
  2. Disa mendojnë se është ligj ved’ij (rregullativ, vendosës), sepse në realitet:

Lehtësimi është shprehje ku ligjvënësi vendos një cilësi prej cilësive, ose një shkak prej shkaqeve për të lehtësuar.

Vendosmëria është shprehje ku zakonisht bëhet zakon që të jetë burim i shkakut prej të cilit burojnë ligjet bazike dhe të përgjithshme.

Ky drejtim bën që vendosmëria dhe lehtësimi të jenë prej llojit të të vepruarit. I këtij drejtimi është Ibn Haxhbi, Amediju dhe Shatibiju.

E vërteta është se që të dy drejtimet kanë të drejtë, sepse ligji është i varur prej veprimit të të ngarkuarit. Ndërsa, ndarja e njërës prej tyre është ndarje e natyrës tjetër. Ndarja në bazë të dispozitimit ka të bëjë me ndarjen, e cila ka të bëjë me të vepruarit, ndërsa ndarja në bazë të të vepruarit ka të bëjë me dispozitimin e të ngarkuarit me ngarkesë, e kjo do të thotë se nuk ka kundërshtim në mes të mendimeve të ndryshme, sepse ndryshueshmëria ekziston në bazë të kahjeve të tyre.

Unë e përkrah drejtimin e dytë dhe shkoj pas tij, sepse ligji i fuqizuar është vendosje e domosdoshmërisë.

Shembull: Shkak i të lejuarës së të ndaluarës, ose paraqitja e arsyes është shkak i lehtësimit duke mos e kryer obligimin.

AZIME – Vendosmëria, gjuhësisht, do të thotë ngritje apo dëshirë e fuqishme. Kjo buron prej lidhshmërisë së zemrës dhe vullnetit të fuqishëm për të kryer një çështje (veprim). Është pikësynim i fuqishëm. Shembull: Ka vendosur të veprojë një çështje, do të thotë: kur ka dëshirë që rreptësisht dhe domosdoshmërisht ta kryejë atë veprim, apo e ka seriozisht ta kryejë atë veprim. Kështu e përshkruan Xhevheriu në fjalorin ku tregon thënien e Zotit të Lartmadhëruar: “Dhe ai harroi, e nuk pamë tek ai se kishte vendosmëri”. pra, seriozitet të fuqishëm.

Po ashtu Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: “Nuk ka dyshim se në këto janë çështjetvendimtare dhe thelbësore.”

Disa prej pejgamberëve janë titulluar “Ulul Azm” për shkak të vendosmërisë së fuqishme të tyre për ta paraqitur të vërtetën.

Tek Usulijinët termi“Azm” është ajo çka në fillim ligjësohet në bazë të ligjeve të përgjithshme, e pastaj bëhet ligj për të gjithë të ngarkuarit në të gjitha rastet e tilla, si për shembull: namazi, zekati dhe të gjitha obligimet e përgjithshme sheriatike.168

Kuptimi “Në fillim ligjësohet”, nga shkaku se më herët për të njëjtën çështje nuk ka pasur ndonjë ligjësim të tillë. Dispozita e cila shfuqizon dispozitën tjetër konsiderohet dispozitë fillestare, nga shkaku se është shfuqizuar ligji i mëparshëm, ashtu që thuajse nuk ka ekzistuar fare.

Nën ombrellën e “azimes” bën pjesë edhe ajo çka është e ligjësuar, për shkak se obligohet domosdo të dispozitohet juridikisht. E, kjo do të thotë që nuk ekziston dispozita e tillë derisa të paraqitet apo të ekzistojë shkaku. E,  atëherë dispozita konsiderohet prej fillimit të atij shkaku, siç është rasti me ofendimin (sharjen) e idhujve, ku Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Mos i shani ata të cilët adhurohen përpos Allahut, sepse, pastaj Allahu ofendohet (shahet) armiqësisht pa pasur dituri.”

Ky ajet ka zbritur kur idhujtarët u kanë thënë muslimanëve “ose do të ndaleni që të mos shani zotat tanë, ose në të kundërtën do ta shajmë (ofendojmë) Zotin e juaj”.

Po ashtu, nën ombrellën e “azimes” bën pjesë “ajo çka është dobi e përgjithshme, pra çka e kërkon nevoja të dispozitohet, për shkak të dobisë së përgjithshme, si, fjala vjen, në shitblerje, qira, shoqëri aksionare, Kisas etj.

Po ashtu, bëjnë pjesë ligjet përjashtuese nga ligjet e përgjithshme, si, fjala vjen:

“Burrave  u lejohet të marrin gjë nga ajo që iu kanë dhënë atyre, vetëm nëse të dyja palët frikësohen se nuk do t’i zbatojnë kufijtë e Allahut”.

(El Bekare,229.)

Është ndaluar të merret (rikthehet) pjesë nga mehri, vetëm se lejohet në rastet kur kihet frikë se mos po mungohet e drejta e Allahut. Marrja e mehrit në këtë rast quhet Azime.

Azime-ja është pesë llojesh, ashtu siç janë ligjet e sheriatit, e ato janë: Vaxhib, Mendub, Haram, Mekruh dhe Mubah.

Në fakt, ata të cilët pretendojnë për “azime” e thonë vetëm atëherë kur përballë saj ka lehtësim. Mirëpo, në rastet ku nuk ka lehtësim, nuk quhet “azime”.

Ruhsa (lehtësimi), gjuhësisht, do të thotë” “lehtësim”, zbutje, zbutim. Xhevheriju thotë: “Lehtësimi (Ruhsa) është çështje e kundërt e shtrëngimit.

Nga kjo rrjedh thënia: “Ka zbritur çmimi, kur zbutet dhe lehtësohet”. Ndërkaq, nëse thuhet “Rehase”, pra, me zanoren fet’ha, është person, i cili ka vepruar ashtu. Kështu tregon Amediu.

Tek Usulijinët “Ruhsa” janë ligjet, të cilat  Allahu i Madhërishëm i ka ligjësuar në rastet kur ka arsye për robërit169 për të ruajtur nevojshmërinë e tyre, me kusht që  shkaku obligues të mbetet tek ligji bazë.170

Shatibiu e definon kështu: “Është ligji i cili ligjësohet me arsye të vështirësisë, si përjashtim nga ligji i përgjithshëm, i cili nuk e lejon një gjë të tillë, por që e lejon pjesërisht në vendet apo rastet kur është e nevojshme.171

Shafi’iju e definon kështu: “Është ligj i fuqizuar në kundërshtim me argumentin, por që e kërkon nevoja (domosdoshmëria)”.172 E ka definuar “në kundërshtim me argumentin” për të mos e përfshirë atë që e ka lejuar Allahu i Madhërishëm, si ngrënien, pirjen e të ngjashme, sepse këto nuk quhen rusa (lehtësim), pasi që nuk ka argument që e ka ndaluar më herët. “Arsye” quhet vështirësia, nevoja dhe domosdoshmëria.

Shembull: Thënia “nuk ka Zot” kur njeriu është i detyruar dhe i nënshtruar për vdekje,

– ngrënia e ngordhësirës në rast domosdoshmërie.

Në rastin e parë arsyeja është detyrimi, ndërsa në rastin e dytë arsyeja është ruajtja nga vdekja. Mirëpo, mbetet shkaku i ligjit bazë. Që në rastin e parë është: të ekzistuarit e argumentit se besimi në Zotin është vaxhib, ndërsa mosbesimi në Zotin është  haram.

Në rastin e dytë: Rreziku nga ngordhësira.

Ndërkaq, nëse nuk mbetet shkaku obligativ i dispozitës bazore, si, fjala vjen, proporcioni i një muslimani me dhjetë pabesimtarë në luftë, i cili më herët ka qenë i ndaluar, nuk quhet ruhsa (lehtësim), sepse ligji bazë, obligimi i përqendrimit të një muslimani kundrejt dhjetë pabesimtarëve, është shfuqizuar, pasi që është larguar shkaku, e ai shkak ka qenë numri i vogël i muslimanëve. Ndërsa, kur u është lejuar atyre, nuk kanë qenë në numër pak, por kanë qenë të shumtë në numër.

Llojet e lehtësimit

Do t’i përmendi llojet e lehtësimit te Shafi’ijtë dhe Hanefijtë.

Shafi’ijtë dhe të tjerët, e pas tyre hanbelijtë, i kanë ndarë lehtësimet në katër lloje:173

Lloji i parë:Lehtësimi Vaxhibi – Si, fjala vjen, të ngrënit e cofëtinës për shkak të kanosjes së rrezikut për vdekje. Kjo është vaxhib, sepse ruajtja e jetës është vaxhib. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe mos e shpini veten e juaj në shkatërrim me duart e juaja.”

Lloji dytë: Lehtësimi Mendub – Shkurtimi i namazit për udhëtarin nëse udhëton tri ditë e më shumë. Shkurtimi është mendub nga fakti se Omeri r.a. ka thënë: “(Shkurtimi i namazit) është sadaka prej Allahut për ju, andaj pranojeni sadakanë prej Tij.”

Lloji i tretë: Lehtësimi Mubah – Si paradhënia, huazimi, qiradhënia, ujitja me pagesë dhe aktet tjera të ngjashme. Nuk ka diskutim se këto janë lehtësime, sepse paradhënia dhe qiradhënia janë akte për të paekzistuarën, në momentin e aktit, dhe të padefinuarën: shitblerja e hurmave të thata me të njoma është lejuar për shkak se e kërkon nevoja. Këto lloje janë lehtësime, për shkak se secili akt prej tyre është i padefinuar saktësisht. E, lehtësimi plotëson nevojat e njerëzve, sepse nuk ka as rrugë e as mënyrë tjetër për t’i plotësuar ato nevoja. Për shembull: paradhënia mund të zëvendësohet me huadhënie.

Lloji i katërt: E kundërta e të parës– si, fjala vjen, mosagjërimi i udhëtarit, i cili nuk dëmtohet nëse agjëron, mirëpo ky lehtësim është e kundërta e të parës nga shkaku se Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: “Dhe nëse agjëroni është më e mirë për ju.” Agjërimi është i urdhëruar me urdhër jo të prerë, e kjo përfshin edhe ndalesë, pra duhet ndaluar nga ndalesa, mirëpo ajo çka është e ndaluar jo qartësisht është e kundërta e të parës. Kështu, përfundimisht, shohim se Shafi’ijtë bëjnë ndarjen e lehtësimit në bazë të nevojës dhe arsyes, ashtu siç e kemi vërejtur te definicioni i tyre i lehtësimit.

Shatibiju thotë: “Dispozita e lehtësimit është lejimi në bazë të asaj se është e lejuar, ndërsa obligueshmëria e përdorimit të ndalesave, në rast të domosdoshmërisë, kthehet në bazën e vendosjes, për shkak të ndonjë arsyeje tjetër, e ajo është të ruajturit e jetës. Siç e tregon Zoti i Lartmadhëruar: “Dhe mos e shpini me duart e juaja veten në shkatërrim”, dhe thënia e Zotit të Lartmadhëruar: “Dhe mos e mbytni veten tuaj”. Ai argumentohet me shumë argumente, duke përforcuar mendimin e tij që në këtë rast nuk mund t’i paraqes. E kush dëshiron të zgjerohet më shumë në këtë temë, le të lexojë librin “Muvafekat”, vol.I.

 

Sa i përket hanefijve, ata lehtësimin e ndajnë në katër lloje:174

Lloji i parë: Të lejuarit e të ndaluarës në rast nevoje, ose domosdoshmërie.

Shembull: Të shprehurit e fjalës së pabesimit nga njeriu, nëse kërcënohet me vdekje, ose nëse i kanoset rreziku i humbjes së ndonjë pjese të trupit, mirëpo duke e pasur bindjen e thellë në besim. Argument për këtë është thënia e Zotit të Lartmadhëruar:”Kushdo që mohon Allahun, pas pranimit të besimit, (do të dënohet), përveç në është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim..” (En-Nahl,106.)

            Shembull: Të prishurit e agjërimit, nëse agjëruesi detyrohet,

-ose të bërit krime, ose shkatërrimin e pasurisë së tjetrit, nëse detyrohet,

-ose të ngrënit e cofëtinës kur njeriu ka uri të madhe

-ose pirja e alkoolit kur njeriu ka etje të madhe.

-Dispozita në këto raste është lejimi, përpos nëse njeriu frikësohet se do të humbë jetën ose ndonjë pjesë trupore, atëherë lehtësimi është vaxhib dhe nëse nuk vepron të ndaluarën deri sa të vdesë, atëherë bëhet mëkatar. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe mos e shpini veten me duart tuaja në shkatërrim.” “Dhe mos e mbytni veten tuaj.”

Mirëpo, hanefijtë thonë: “Të vepruarit në bazë të vendosmërisë (Azimes) ka përparësi ndaj lehtësimit, nëse është në pyetje detyrimi për mosbesim dhe nëse vritet, shpërblehet.175 Në këtë argumentohen me rastin kur Musejlemi bin Kedhabi i kishte zënë rob dy shokë të Muhamedi s.a.v.s. e i thotë të parit: “Çka thua për Muhamedin?”

Ai i përgjigjet: “Është i Dërguar i Allahut.”

Pastaj i thotë: “Po çfarë thua për mua?”

Ai i thotë: “Jam i shurdhër, nuk po dëgjoj.”

Tri herë e pyet dhe ai tri herë i përgjigjet njësoj. Atëherë Musejlem bin Kedhabi e mbyt. Kur ia tregojnë këtë ngjarje Pejgamberit s.a.v.s. thotë: “Sa i përket të parit, ai e ka shfrytëzuar të drejtën e lehtësimit, e Allahu ia ka lehtësuar. Ndërsa, sa i përket të dytit ai e ka mbrojtur të vërtetën, lum për të, ai ka shpërblim.”176

Lloji i dytë: Të lejuarit e moskryerjes së vaxhibit, nëse kryerja është e vështirë dhe e mundimshme, si, fjala vjen, lejimi i mosagjërimit në ramazan për udhëtarin dhe të sëmurin. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe kush prej jush është i sëmurë, ose në udhëtim, le të agjërojë po aq ditë të tjera (pas muajit ramazan).”  Ky tekst tregon se udhëtari dhe i sëmuri nuk e kanë vaxhib agjërimin gjatë sëmundjes dhe udhëtimit.

Shembull tjetër: Shkurtimi i namazeve nga katër rekate në dy rekate në udhëtim. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe kur të udhëtoni nëpër tokë, nuk është mëkat për ju që të shkurtoni namazin.”

Lloji i tretë: Të lejuarit e akteve dhe i veprimtarive të tjera për të cilat kanë nevojë njerëzit, edhe pse ato kontrata dhe akte janë në kundërshtim me rregullat bazë paraprake, si akti i silmit (paradhënies) e të ngjashme, siç e sqaruam në medhhebin shafi’ij, sepse akti i Silmit (paradhënies) është blerje e sendit, i cili nuk është prezent (por prodhohet në të ardhmen). Ndërsa, dihet se shitblerja e të paekzistuarës është e pavlefshme. Mirëpo, Ligjvënësi e ka lejuar për shkak të nevojës së njerëzve. Shembull tjetër: akti i Istisnaë-s (kontrata e prodhimit industrial me paradhënie para prodhimit).

Lloji i katërt: Shfuqizimi i ligjeve të mundimshme, të cilat kanë qenë tek ligjet e popujve të mëparshëm, mirëpo janë lehtësuar për umetin islam, siç ka qenë ligji: Kushtëzimi i mbytjes së vetvetes si pendim nga kryeneçësia: “Dhe mbyteni vetveten tuaj.”

-Pastaj, pastrimi i rrobeve, të cilat kanë rënë në vendin e papastër; obligueshmëria e një të katërtës në zekat;

-papranueshmëria e namazit në vendin ku nuk është i caktuar ai vend për namaz, – e çështje tjera, të cilat Kur’ani i ka përmendur në mënyrë të përgjithshme.

Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an na ka mësuar të bëjmë këtë dua: “O Zoti ynë, mos na ngarko neve me barrë të rëndë, ashtu siç i ke ngarkuar të tjerët para nesh.”

Në ajet tjetër tregon: “Dhe largon prej tyre barrën dhe hallkat, të cilat kanë qenë mbi ta.

Ky lloj lehtësimi është lehtësim në aspekt alegorik, përpos në rastet kur ka ngjashmëri të drejtpërsëdrejt ndërmjet ligjit të mëhershëm dhe ligjit lehtësues, sepse ligji bazë më nuk ekziston si ligj. Pra, nuk ka ligj vendosës, me të cilën krahasohet lehtësimi me të. Mirëpo, për shkak se është hequr një lehtësim i tillë në sheriatin tonë, konsiderohet zbutje dhe lehtësim për umetin tonë, në krahasim me popujt e mëhershëm. Për këtë arsye, hanefijtë e quajnë lehtësim në mënyrë alegorike, ndërsa, tek të tjerët lehtësim.177 Nga ajo që përmendëm shihet se hanefijtë lehtësimin e ndajnë në dy lloje:

  1. Lehtësimi i lejuar( mubah) dhe
  2. Lehtësimin obligativ(vaxhib).

Shatibiu në librin e tij i ka përmendur katër lloje të lehtësimit.

-Disa prej lehtësimeve janë posaçërisht për disa njerëz,

-Disa prej lehtësimeve janë për të gjithë njerëzit. Pastaj, ai ka shtuar se: “Dispozitimi i lehtësimit është lehtësimi nga aspekti se është lehtësim.” Në lidhje me këtë thënie, ai ka sjellë edhe argumente për këtë.

Lini një koment