Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Burimi: USULI FIKHU ISLAM
“Bismilahi” a është ajet Kur’anor?
Për atë se “Bismilahi” a është ajet i Kur’anit fisnik, dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme.
Pos kësaj, nëse është ajet, pra se a është ajet i çdo sureje, prapë kanë dhënë mendime të ndryshme: se a është ajet i pavarur i çdo sureje, i cili ka zbritur për t’i ndarë suret në mes vete apo jo?!.
Muslimanët janë pajtuar unanimisht se “Bismilahi” është ajet në brendi të “suretul Neml”, por kanë dhënë mendime të ndryshme për “Bismilahin” në fillim të sureve:
Shafijtë dhe ajo çka është më prioritarja në medhhebin e tyre thonë: Është ajet i çdo sureje edhe i suretul fatiha, edhe i sureve të tjera, përpos në suretul Beraetun.17Sujutiu i ka sjellë pesëmbëdhjetë hadithe, të cilat tregojnë se Bismilahi është për të filluar suret dhe atë në mënyrë të përgjithshme.18
Malikijtë thonë: Nuk është ajet as i suretul Fatihas, e as i sureve të tjera.19
Hanefijtë, sipas mendimit më të drejtë të tyre, thonë: Është ajet Kur’anor, por nuk është ajet i suretul Fatihas dhe as i sureve të tjera, por është ajet i cili ka zbritur për t’i ndarë suret në mes vete.20
Hanefijtë në medhhebin e tyre argumentohen se: Ixhmai ka rënë dakord se çka është mes dy kopertinave të Mus’hafit, është fjalë e Allahut dhe është shkruar në Kur’an me urdhrin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ashtu na është transmetuar brenda dy kopertinave të mus’hafit. Paralelisht me këtë, sehabet e mësonin vazhdimisht përmendësh, sa që ata nuk lejonin që të shkruheshin edhe emrat e Kur’anit në mus’haf, as kornizat, as pikat, me qëllim që Kur’ani të mos përzihet me asgjë tjetër. Pasi që nuk është ajet as i suretul Fatihas e as sureve të tjera, por i ka plotësuar kushtet që obligon të jetë ajet i çdo sure, është zbritur për t’i ndarë suret në mes vete. E, kjo tregon se nuk është pjesë e asnjë sureje. Në medhhebin e tyre është bazë që për të qenë ajet Kur’anor duhet të lexohet, të vendoset në vendin e merituar, të jetë i transmetuar, duhet t’i plotësojë kushtet e parapara. Mendimi i tyre përputhet me mendimin e Ibni Abasit r.a., i cili ka thënë: Pejgamberi s.a.v.s. nuk e dinte përfundimin e sures dhe fillimin e sures tjetër, derisa Xhibrili nuk i zbriste ajetin “Bismilahi-Rrahim” në fillim të çdo sureje. E, kjo e vërteton se është për ndarjen e sureve në mes vete.
Argumentet e Malikijve janë si vijon:
Transmeton Muslimi nga Ajshja r.a. se ka thënë: Pejgamberi s.a.v.s. e fillonte namazin me tekbir dhe me fillimin e leximit “Elahamdulilahi Rabil Aleminë”.
Në dy sahihët është regjistruar nga Enes bin Maliku se ka thënë: Jam falur pas Pejgamberit s.a.v.s., pas Ebu Bekrit dhe Uthmanit dhe e fillonte namazin me “Elhamdulilahi Rabil Aleminë”.
Në sahihun e Muslimit “Nuk e përmendin “Bismilahi Rrrahmani Rrahim” në fillim, as në përfundim të leximit. Ngjashëm me këto është edhe në koleksionet e haditheveve (sunen) nga Abdullah bin Mugfeli r.a.21
Medhhebin e tyre e forcon dhe e përkrahin banorët e Medines. Ata janë më të diturit se sa të tjerët, për shkak se ka qenë rreth i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.
Shafijtë janë argumentuar me sa vijon:
-Ajeti ka zbritur me fillimin e çdo sureje.
-Bismilahi është shkruar në Kur’an në fillim të çdo sureje me urdhrin e Pejgamberi s.a.v.s dhe kjo është praktikuar nga të gjithë dhe se asnjëri prej sehabeve nuk e ka kundërshtuar shkrimin e këtij ajeti, kur dihet se ata kanë qenë tepër të kujdesshëm që të mos shkruhet në Kur’an ajo çka nuk është Kur’an.
Thënia e Shafijut është bazuar në medhhebin e tij, pasi që ajeti i lexuar i ka plotësuar kushtet e ajeteve të tjera, edhe pse është posaçërisht për një ajet.
Këtë mendim e forcon edhe në ether (ajo çka është gjurmuar). Është transmetuar nga Ibni Abasi se thënia e Zotit të Lartmadhëruar: “Dhe ne ty të kemi dhënë shtatë të përsëriturat”, ka për qëllim suretul Fatiha.
E, kur është pyetur: Po ku është ajeti i shtatë?
Është përgjigjur: Ajeti i shtatë është “Bismilahi Rrahmani Rrahim”.
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kur të lexoni suretul Fatihan, mos harroni pa e lexuar edhe ajetin Bismilahi Rrahmanirr Rrahim”, sepse ky ajet është ajet i kësaj sureje.22
Sa i përket sureve të tjera, na është sjellë sigurt nga të gjithë se është vendosur në fillim të çdo sureje, si në fillim të suretul Fatihas, ashtu edhe në të gjitha suret tjera. Ibn Mubareki thotë: Kush nuk e lexon “Bismilahin”, ai nuk i ka lexuar njëqind e trembëdhjetë ajete.
Në fund të këtyre mendimeve të ndryshme po përmend atë që ka thënë Shevkaniju në librin “Irshad Fuhulë”. Sa i përket kësaj teme, një grup i usulijinëve e kanë përmendur mospajtimin; po ashtu ka ndodhur mospajtimi edhe në mes të Kurrave (lexuesve të Kur’anit), e po ashtu ka ndodhur mospajtim në mes të dijetarëve se: Bismilahi a është ajet i çdo sureje apo është ajet i vetëm suretul Fatihas, apo është ajet i pavarur, i cili ka zbritur për ndarjen në mes të sureve, apo nuk është ajet dhe nuk është pjesë e Kur’anit; në lidhje me këtë kanë bërë studime të thella.
Disa dijetarë kanë shkuar aq larg sa që këtë çështje e kanë bërë prej çështjeve të besimit dhe prej çështjeve bazike të fesë.
E vërteta është se “Bismilahi” është ajet i çdo sureje, pasi që është shkruar në mus-haf. Kjo është shtylla e parë dhe kryesore që tregon Kur’ani për Kur’anin.
Pastaj, ixhmai që e ka pranuar të shkruhet në Kur’an në fillim të çdo sureje dhe këtë nuk e ka kundërshtuar askush, kështu që kemi kaluar edhe shtyllën e dytë, pra të përcjellurit nëpërmjet ixhmait nëpër gjenerata.
Ndërsa, shtylla e tretë është përputhshmëria me gjuhën arabe dhe me kuptimin e gjuhës arabe. E, kjo është tepër e qartë në Kur’an.23
Ibn Haxhibi thotë: Fortësia e ngjashmërisë në dy anët te “Bismilahi Rrahmani Rrahim” është pengesë për të mos lejuar mohimin nga asnjëra anë.24
Ibni Ethiri, pasi tregon argumentet e medhhebeve, thotë: Këto janë argumentet e dijetarëve, Zoti i mëshiroftë, dhe që të gjithë janë pajtuar se lejohet namazi, edhe nëse lexohet haptazi “Bismilahi”, por edhe nëse lexohet fshehtazi, prapë Falënderojmë Allahun.25
Argumentimi i Kur’anit fisnik
Të gjithë Dijetarët janë pajtuar se Kur’ani është argument, me të cilin është e patjetërsueshme (vaxhib) të veprohet me të dhe nuk lejohet të kalohet në argumente tjera, përpos në raste kur duhet të gjykohet duke hulumtuar nëpërmjet tij.
Argument se Kur’ani është argument për njerëzit dhe duhet të veprohet me ligjet e tij, është se Kur’ani është prej Allahut, e argument se është prej Allahut, është mrekullia e tij.