Sheriati islam dhe ligjet njerëzore

Dr. Musli Vërbani

 

Sheriati islam dhe ligjet njerëzore

 

Njeriu është qenie shoqërore. Natyrshmëria e tij është që të bashkëjetoj me të tjerët. Kështu që, shoqëria është çështje e patjetërsueshme. Përderisa njeriu jeton në shoqëri, rezultojnë raportet ndërmjet individit dhe shoqërisë. Këto raporte fillojnë prej raporteve familjare, shoqërore, politike, kulturore e të ngjashme.

Për të jetuar individi në harmoni me shoqërinë dhe një shoqëri me një shoqëri tjetër, nevojitet ligj dhe rregull.

Qëllimi i ligjit është që të siguroj liritë e njeriut dhe realizimin e interesave të tij në njërën anë dhe sigurimin e shoqërisë në anën tjetër.

Sheriati islam është ligj i kësaj bote dhe i botës tjetër. Sheriati islam nuk mund të përkufizohet vetëm në besim, moral dhe adhurim, por përfshinë edhe raportet shoqërore. Kështu që, sheriati islam përfshinë rregullat dhe ligjet e njeriut ndaj Zotit të tij, ndaj vetes së tij dhe ndaj shoqërisë. Nga kjo rezulton se sheriati islam ndahet në dy pjesë:

  1. Ligjet të cilat kanë të bëjnë me besimin, moralin dhe adhurimet;
  2. Ligjet të cilat kanë të bëjnë me veprimet praktike ndërnjerëzore, siç janë: statusi familjar dhe raportet apo të drejtat, detyrat dhe obligimet ndaj të tjerëve.

Nga kjo mund të kuptojmë se sheriati islam përputhet me ligjet dhe kushtetutat njerëzore sa i përket asaj se qëllimi i tyre është sigurimi shoqëror dhe realizimi i interesave të njerëzve, por ekziston edhe pika dalluese në atë se ligji njerëzor parasheh raportet e njeriut me njerëzit e tjerë, me qëllim që të sigurohet dhe të zhvillohet shoqëria, përderisa sheriati islam përpos kësaj parasheh obligimet e njeriut ndaj vetes së tij dhe ndaj Zotit të tij.

Sheriati islam përputhet me ligjet dhe kushtetutat njerëzore sa i përket asaj se që të dyja sigurojnë dhe garantojnë shoqërinë në realizimin e interesave individuale dhe shoqërore në bazë të lirisë dhe barazisë, por ekziston edhe një çështje tjetër ku dallohet se sheriati islam në edukimin dhe strukturimin e individit parasheh adhurimet të cilat janë mjet të edukimit shpirtëror dhe moral të tij.

Ekziston edhe një çështje dalluese të cilën sheriati islam e konsideron si çështje të domosdoshme e ajo është ruajtja, sigurimi dhe garantimi i mendjes së njeriut, sa që për të garantuar mendjen e njeriut e ndalon rreptësisht alkoolin dhe pijet dehëse të mendjes së njeriut, e që ligjet dhe kushtetutat njerëzore nuk e parashohin një gjë të tillë përpos në disa raste dhe momente të caktuara.

Për të siguruar dhe garantuar pasardhësit që të jenë të ndërlidhur me paraardhësit, sheriati islam e ndalon rreptësisht prostitucionin, sepse në të kundërtën shoqëria dhe pasardhësit do të çrregulloheshin dhe do të shkatërrohet baza familjare e cila është themel dhe element bazë i shoqërisë, e që ligjet dhe kushtetutat njerëzore nuk përputhen me sheriatin islam në këtë çështje.

Sa i përket pasurisë, pra konsiderohet e shenjtë edhe në sheriatin islam por edhe në ligjet dhe kushtetutat njerëzore.

Duhet ditur se ligjet në sheriatin islam ose janë ligje të cilat kanë të bëjnë me besimin, moralin dhe adhurimin ose ligje që kanë të bëjnë me njeriun në raport me të tjerët.

Sa i përket ligjeve të cilat kanë të bëjnë me besimin, moralin dhe adhurimin, janë ligje të cilat nuk ndryshojnë me ndryshimin e kohëve dhe vendeve.

Sa i përket ligjeve të cilat kanë të bëjnë me detyrat e njeriut me të tjerët ndahen në dy lloje të ligjeve:

  1. Llojet e ligjeve të cilat nuk ndryshojnë;
  2. Llojet e ligjeve të cilat ndryshojnë.
  3. Llojet e ligjeve të cilat nuk ndryshojnë me ndryshimin e kohëve dhe vendeve janë ligjet bazë dhe ligjet e prera në sheriatin islam.
  4. Llojet e ligjeve të cilat ndryshojnë me ndryshimin vendeve dhe kohëve, e që në këtë lloj të ligjeve bëjnë pjesë ligjet e papërcaktuara dhe edukuese, ose llojet e ligjeve që kanë të bëjnë me traditën ose me interesin e përgjithshëm shoqëror (meslehatul mursel) të cilat nuk bien ndesh me tekstet bazë.

Sheriati islam parasheh shpërblim në kryerjen e obligimeve, ashtu siç parasheh dënim për kryerjen e veprave të ndaluara.

Sheriati islam parasheh dënime në botën tjetër për moszbatimin e urdhrave ose mosrespektimin e ligjeve, përderisa ligjet dhe kushtetutat njerëzore parashohin dënime vetëm në këtë botë dhe jo për në botën tjetër.

Ligjet dhe kushtetutat njerëzore i drejtohen personit si pjesë e shoqërisë, përderisa sheriati i drejtohet personit si individ, ashtu siç i drejtohet atij edhe si pjesë e shoqërisë. Sa i përket çështjes së parë, ka të bëjë me edukimin e njeriut ndaj Zotit të tij dhe vetes së tij, përderisa sa i përket çështjes si pjesë e shoqërisë, i drejtohet atij që të jetë i drejtë dhe t’i kryej obligimet ndaj pjesëtarëve tjerë të shoqërisë. Shihet se, sa i përket kësaj çështje sheriati islam përputhet me ligjet dhe kushtetutat njerëzore dhe ka ngjashmëri me shkencat shoqërore.

Sheriati islam kërkon përgjegjësi edhe për veprën, edhe për qëllimin, dhe nëse për qëllim nuk gjykohet nga ligjet njerëzore, në sheriatin islam gjykohet edhe për qëllimin edhe për veprën, për të cilën nuk dënohet njeriu në këtë botë, pa marrë parasysh dënimit të merituar a i ka ikur me arsyetimin e gjykatës apo duke i ikur drejtësisë dhe duke mos dalë para gjykatës. Kështu, sheriati islam avancon ndaj ligjeve njerëzore sepse njeriu e ndien prezencën e Zotit në çdo çast dhe edukohet me prezencën e tij, ashtu që nëse në këtë botë nuk vendoset në vend drejtësi për të, atëherë drejtësia vendoset në botën tjetër sepse sheriati islam nuk është vetëm ligj por është ligj dhe besim, ligj dhe fe.

 

Lini një koment