Laicizmi dhe feja islame

Dr. Musli Vërbani

 

Laicizmi dhe feja islame

 

Njerëzimi ka kaluar nëpër etapa të ndryshme. Prej atyre etapave është edhe laicizmi. Laicizmi është prej etapave më të reja të njerëzimit. Edhe sot e kësaj dite laicizmi mendohet ndryshe nga çfarë është në të vërtetë. Shumë prej njerëzve mendojnë se laicizmi është ndarja e fesë nga shteti, mirëpo në esencë laicizmi thërret që edukimi dhe arsimimi të bëhet jo mbi bazat fetare, por mbi bazën shkencore.

Ndryshe Laicizmin mund ta kuptojmë edhe si një lëvizje shoqërore e cila ka për synim që njerëzit të cilët angazhohen për botën tjetër t’i largoj nga kjo, dhe t’i thërras që të angazhohen vetëm për këtë botë dhe ta harrojnë botën tjetër.

Në bazë të literaturave të ndryshme, laicizmin mund ta kuptojmë edhe si ateizëm, i cili ndahet në dy lloje:

  • Laicizëm teorik; dhe
  • Laicizëm praktik.

Sa i përket laicizmit praktik, mund t’i nënvizojmë dy çështje të rëndësishme të saj:

Çështja e parë është se laicizmi nuk ka të bëjë me shkencën, siç e mendojnë dhe e deklarojnë disa dijetarë, pra duke e proklamuar se laicizmi ka të bëjë vetëm me shkencën praktike.

Çështja e dytë është se laicizmi është drejtim shoqëror, i cili ka për synim të izoloj fenë nga shoqëria, duke e orientuar shoqërinë të përqendrohet vetëm për këtë botë, në të gjitha aspektet, si në aspektin ekonomik, moral, shoqëror, ashtu edhe politik.

Nëse shikojmë në thellësi, e kuptojmë se, laicizmi nuk ka të bëjë vetëm me ndarjen e fesë nga shteti, por e kuptojmë se çka është fetare nuk është shkencore, dhe çka është shkencore nuk është fetare, që do të thotë se, laicizmi dhe feja janë të kundërta dhe në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Ka prej njerëzve të cilët e keqinterpretojnë termin e laicizmit, duke i dhënë kuptimin se laicizmi është në shërbim të shkencës dhe logjikës, duke aluduar se feja islame është në kundërshtim me logjikën dhe shkencën, por e vërteta është se feja islame është gjithëpërfshirëse edhe për atë botë edhe për këtë botë. Feja islame ngërthen në vete të gjitha çështjet e jetës, si morale ashtu edhe materiale, si ekonomike ashtu edhe juridike, si personale ashtu edhe shoqërore.

Laicizmi si lëvizje shoqërore ia ka arritur qëllimit që të ndaj kishën nga shteti, duke proklamuar se feja është çështje shpirtërore e individëve dhe duke thënë se shteti dhe qeveria është ajo që do të duhej të rregullonte raportet në mes të individëve në shoqëri. Si rezultat i kësaj, duke i rregulluar raportet e individëve në shoqëri, kanë filluar të çrregullohen raportet në mes të individit me individ, dhe individit me familjen. Nëse bëjmë një analizë, shohim se laicizmi e ka zbrazur energjinë e zemrës dhe mendjes nga feja, sepse janë liruar nga përkufizimet që i parasheh feja.

Nëse analizojmë anën morale dhe të lirisë së njeriut në bazë të logjikës së laicizmit, e shohim se morali dhe etika njerëzore janë në kundërshtim me lirinë njerëzori. Morali dhe etika njerëzore parasheh që njeriu si individ të martohet dhe nëpërmjet martesës të krijohet familja e cila është bazë themelore e shoqërisë, por liria e cila i jepet njeriut, liri të cilën e përkufizon feja, bën që shoqëria të ketë shumë më pak baza themelore sepse duke i ikur përgjegjësive ligjore, martesat, ose bëhen me vonesë, ose nuk bëhen fare, e edhe ato që bëhen shpesh janë afatshkurta.

Edhe pse krijohet familja, në emër të lirive ndodhin tradhtitë bashkëshortore, shkaktohen shkurorëzimet dhe degradohen raportet prindër-fëmijë. Kështu krijohet një frymë e re në familje, ose shkurorëzim i vonshëm, ose shkurorëzim i shpejt pas kurorëzimit, ose mosmartesë. Pastaj, mosmartesa shkakton edhe devijime tjera, si bie fjala homoseksualitetin, gjë që shkakton mortalitetin në shoqëri.

Pasi që të humb esenca e bazës në familje, fillon humbja e bazës në shoqëri, sepse shoqëria përbëhet prej familjeve. Individët e familjes së çrregulluar edhe po të donin nuk mund ta japin maksimumin e kontributit në shoqëri.

Kështu që, laicizmi pasi që ka pasur pikësynimin e izolimit të fesë dhe zhdukjen e fesë nga shoqëria, ka filluar të kërkoj ndihmë dhe përkrahje nga feja dhe kështu ka filluar dalëngadalë të zhvishet nga origjina e saj. Ndoshta laicizmi si lëvizje shoqërore ia ka arritur qëllimit që të izoloj besëtytnitë fetare të cilat nuk janë në përputhshmëri me logjikën, mirëpo shkenca e cila është në përputhshmëri me fenë islame apo feja e cila është në përputhshmëri me shkencën nuk mund të izolohet dhe as të mënjanohet sepse  mendja është pjesë e çdo individi. Përderisa feja islame është fe e logjikës, ashtu edhe njeriu është qenie logjike, kështu që përderisa laicizmi pretendon se logjika dhe shkenca janë bazë e saj dhe me të zhvillohet shoqëria, atëherë fenë islame e cila është fe e logjikës dhe shkenca është e pandarë prej saj, atëherë mbështetja më e madhe duhet të jetë në fenë islame dhe shoqëria njerëzore e cila është lëkundur prej themeleve të saj për t’u vendosur në ato themele nevojitet feja e shkencës, e ajo fe e arsyes, logjikës dhe shkencës është feja islame.

 

Lini një koment