Leximet e vetmuara

Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Burimi: USULI FIKHU ISLAM

 

Leximet e vetmuara

 

Për atë çka është përcjellur deri tek ne në mënyrë të vetmuar, si Mus’hafi i Ibni Mesudit etj, dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme: a është Kur’an apo jo?

Leximi i vetmuar është leximi, i cili nuk është përhapur në të gjitha rajonet, në formën mutevatir.10 Është leximi, i cili rrugën zingjirore e ka të drejtë, mirëpo nuk përmban më vete konstruktin e mus’hafit në të shkruar, edhe pse është në harmoni me gjuhën arabe dhe kuptimet e gjuhës arabe, si f.v. leximi (Kiraeti) i Ibni Mesudit në ajetin e kompensimit të përbetimit: “Dhe kush nuk ka (mundësi), le të agjërojë tri ditë– të njëpasnjëshme”. Shtesa e ajetit “të njëpasnjëshme” nuk është “Mutevatir”, e për këtë arsye edhe nuk është Kur’an.11

Shembull tjetër: Ajo çka është në disa kiraete në furnizimin e nënave: “Dhe për trashëguesin-prej farefisit të ndaluar”. Në këtë rast shtesa “prej farefisit të ndaluar” nuk është Mutevatir.

Ibn Ethirë el Xhezariju thotë: Leximet e vetmuara (“Kiraat Shadhe”) janë lexime, të cilat nuk e kanë zingjirin transmetues të plotë. Shembull: ajeti “Dhe sot do ta mënjanojnë trupin tënd, që të jetë argument për (gjeneratat) pas teje. Ndërsa, leximi i ajetit sipas Hafsës është “Do ta shpëtojmë (trupin tënd nga shkatërrimi)”.

Dijetarët e kiraeteve janë pajtuar se shtatë kiraetet janë mutevatir me koncenzusin (ixhmain) e të gjithë muslimanëve.12 Ato kiraete janë:

  1. Kiraeti i Ebi Amrit,
  2. Kiraeti Nafijut,
  3. Kiraeti Asimit,
  4. Kiraeti i Hamzës,
  5. Kiraeti i Kisaijut,
  6. Kiraeti i Ibni Kethirit, dhe
  7. Kiraeti i Ibni Amirit.

Ndërsa, plus tre kiraete, pas këtyre shtatë kiraeteve, janë:

1.Kiraeti i Jakubit,

2.Kiraeti i bi Xhaëferit dhe

3. Kiraeti i Halefit.

Për këto tre kiraete disa kanë thënë se janë Kiraete mutevatir, 13e disa kanë thënë se janë Kiraete meshhurë.

Përpos këtyre dhjetë kiraeteve, kiraetet tjera janë të vetmuara dhe për këtë janë pajtuar të gjithë dijetarët.

Dispozita e kiraeteve të vetmuara

Leximi i vetmuar nuk është Kur’an. Ky është mendimi unanim i të gjithë dijetarëve. Por, parashtrohet pyetja: A lejohet të argumentohet me ato kiraete?.

Për këtë dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme:

Hanefijtë dhe Hanbelijtë thonë: Me leximet e vetmuara lejohet të argumentohet, por me kusht që argumentimi mos të jetë i prerë e as i sigurt, sepse për të qenë argument i sigurt patjetër duhet të jetë dëgjuar prej Pejgamberit s.a.v.s. dhe çdo gjë çka është e dëgjuar prej Pejgamberit s.a.v.s., është argument. Është argument dëgjimi, sepse transmetuesi është i drejtë. Drejtësia është cilësi që tregon se ai nuk e ka thënë prej vetvetes, sepse po ta kishte thënë prej vetvetes, nuk kishte qenë e shkruar në mus’haf. E, kjo do të thotë se ky lexim është dëgjuar prej Pejgamberit s.a.v.s., e të dëgjuarit prej Pejgamberit s.a.v.s. është sunet. Ndërsa, të vepruarit me sunet është obligative.15

Malikijtë dhe Shafijtë thonë: Leximet e vetmuara nuk janë argument.Argumentohen me atë se nuk është Kur’an, pra nuk është mutevatir, por edhe sunet nuk është, sepse ai lexim është  transmetuar se është Kur’an, e pasi që nuk është transmetuar se është sunet, nuk argumentohet me të.16

Gazaliu i është kundërpërgjigjur medhhebit Hanefij në këtë mënyrë: Nuk është Hadith i vetmuar, sepse hadithi i vetmuar nuk është argument se nuk pranohet. Ndërsa, të bëhet se është Kur’an, është gabim i sigurt, sepse do të kishte qenë e detyruar për Pejgamberin s.a.v.s. t’u tregonte disa sehabeve që të jetë argument për ta. E, atëherë nuk kishte qenë e lejuar që të heshtë asnjëri prej tyre, pasi që nuk është Kur’an. Atëherë, është e mundur që të jetë mendim i sehabës, ose që të jetë lajm i Pejgamberit s.a.v.s.. Pasi që është e dyshimtë se a është haber apo jo, atëherë kjo na tregon se nuk lejohet të veprohet (argumentohet) me të, sepse lejohet të veprohet (argumentohet) me atë çka transmetuesi tregon se ka dëgjuar nga Pejgamberi s.a.v.s. Këtë mendim e ka përkrahur edhe Amediju, kur thotë: Mendimi më i pranuar dhe më i drejtë është mendimi i Shafijut, i cili mendon se nuk është obligative që te kompensimi i përbetimit të agjërohet rreshtazi.

Autori i librit “Muslimu Thubut” dhe Shevkani në librin “Irshadul Fuhul”thonë: Çka është transmetim i vetmuar, absolutisht nuk është Kur’an, sepse Kur’ani është ai çka i plotëson kërkesat e transmetimit si fjalë e Allahut të Lartmadhëruar, çka i plotëson të gjitha kushtet e ligjeve të sheriatit dhe si mrekulli. Çka i plotëson këto kërkesa, është Kur’an, e çka nuk i plotëson, nuk është Kur’an.

Lini një koment