Dr. Musli Vërbani
Festat dhe manifestimi i tyre
Manifestimi, ngërthen në vete tubimin dhe përkujdesjen për diçka. Thuhet, filani nuk ka manifestuar, që do të thotë, nuk është përkujdesur dhe nuk është interesuar për atë çështje.
Është natyrshmëri njerëzore që njeriu të përkujdeset për diçka.
Manifestimet mund të jenë:
- Manifestimi i një çështjeje të kësaj bote;
- Manifestimi i një çështjeje fetare.
- Manifestimi i një çështjeje të kësaj bote: nuk është i ndaluar përderisa qëllimi të jetë i pastër, brenda kufijve të sheriatit islam dhe që nuk ndikon negativisht në moral dhe nuk sjell veprime të këqija.
- Manifestimi fetar, i cili mund të jetë:
a.Manifestim për të cilin ekziston ndonjë tekst i sheriatit;
b.Manifestim për të cilin nuk ekziston ndonjë tekst i sheriatit.
Sa i përket manifestimit të ndonjë feste për të cilin ekziston teksti, ajo festë festohet, që do të thotë se lejohet festimi.
Sa i përket manifestimit të ndonjë feste fetare për të cilën nuk ka tekst, dijetarët kanë dhënë dy mendime:
- Mendimi i parë: ai lloj manifestimi nuk lejohet, sepse konsiderohet bid’at.
- Mendimi i dytë: ai lloj manifestimi lejohet, sepse nuk ekziston ndonjë tekst i cili e ndalon atë manifestim, pra çështja ka mbetur neutrale.
Që në fillim duhet të potencojmë se manifestimi i ndonjë feste dhe manifestimi i festës së Bajrameve nuk kanë diçka të përbashkët, por ndryshojnë njëra me tjetrën.
Nuk mund të thuhet se ne muslimanët i kemi vetëm dy festa (festa e kurban bajramit dhe fitër bajramit), sepse numri i festave nuk përkufizohet vetëm me këto dy festa. Muhamedi s.a.v.s. edhe ditën e premte (e xhuma) e ka quajtur festë. Sa i përket hadithit se kur pejgamberi s.a.v.s. ka shkuar në Medine dhe atje i sheh duke u argëtuar në dy ditë të festave të tyre dhe Muhamedi s.a.v.s. u ka thënë “Zoti ua ka zëvendësuar me dy ditë (tjera) më të mira se ato dy ditë, e ato janë: Dita e fitër Bajramit dhe e Kurban Bajramit.” tregon se Muhamedi s.a.v.s. ka sinjalizuar se këto dy festa janë më të vlefshme se festat tjera.
Festa manifestohet me shprehjen e gëzimit dhe të lumturisë dhe nuk ka të bëjë me ligjësim adhurimi, siç është rasti i ligjësimit të namazit të agjërimit, etj.
Pra, manifestimi i festave është i lejuar, qoftë festë fetare apo jo fetare, por me kusht që të jetë brenda suazave të ligjit islam dhe të ketë qëllim të mirë.
Në fenë islame edhe pse shprehim ndjenjat e gëzimit dhe lumturisë, nuk i quajmë Bajrame – festë, siç është rasti i shprehjes së gëzimit dhe lumturisë me rastin e lindjes së fëmijës e cila manifestohet me “Akikë” (prerje kurbani). Pastaj dasma e martesës, sepse manifestimi i tyre ka të bëjë me përkujdesjen për të ardhmen dhe të vepruarit për botën tjetër.
Zoti i Lartmadhëruar tregon se si i ka thënë Musait a.s.:
“Dhe përkujto për ditët e Allahut.” (El Ibrahim : 5)
Të kujtojmë hixhretin e Muhamedit a.s. prej Meke në Medine. Kjo ngjarje ka rëndësi të posaçme në historinë islame. Për këtë arsye Umeri r.a. e ka caktuar si fillim të kalendarit islam dhe viti i hixhretit është viti i parë i kalendarit islam, dhe, pse të mos festohet “viti i ri i hixhretit” kur kjo do të bënte lidhjen dhe forcimin e zemrave të muslimanëve me fenë e tyre dhe do të bënte që të mos harrohej kjo festë duke i festuar festat tjera të kësaj bote.
Mendimi i atyre të cilët thonë se festat përpos festave të Bajramit janë bid’at, duhet t’u sqarohet se bid’ati nuk ka të bëjë me këto festa, sepse nuk është ligjësuar ligjësim fetar për manifestimin e këtyre festave, është shprehje gëzimi dhe interesimi dhe nuk janë terminologji të cilat i konsiderojmë mjet adhurimi. Edhe pse emërtimi i festës së bajrameve është i njëjtë me emërtimin e festave të tjera, festa e bajrameve festohet me adhurim, pra me falje të namazit të përbashkët të Bajramit, pastaj me prerje të kurbanit, ndërsa festat tjera nuk ngërthejnë në vete adhurim apo ritual të veçantë, qoftë falje të namazit, qoftë ndonjë adhurim tjetër, por paraqesin vetëm përkujtim të datave historike, net me vlerë të madhe dhe vite të cilat kanë lënë gjurmë në civilizimin islam.