HISTORIA E SHPIFJES PËR AISHEN R.A.

“HISTORI TË SEHABEVE DHE NJERËZVE TË MIRË”

Autor: Muhamed Mutevel-li Sharavi.

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Zoti Famëlartë këtë ngjarje e ka përshkruar si “shpifje” ndaj Aishes. Kjo nga shkaku se i kanë shtrembëruar faktet. Kanë thënë atë që është në kundërshtim me të vërtetën.

Ngjarja ka ndodhur pas betejës së Mustalikut. Pejgamberi a.s. kur shkonte në beteja, hidhte short në mes grave të tij se cila do të merrte pjesë në luftë me të. Kjo është drejtësia e pejgamberit a.s. Në këtë betejë ka hedhur short në mes tyre dhe hisja i ka ra Aishes r.a.

Kështu që ajo ka marr pjesë në luftë me të.

Pas betejës, duke u kthyer, Aishja r.a. ka thënë: Shkova për të kryer nevojën fiziologjike, pastaj kur jam kthyer, e kisha humbur qaforen, e cila ka qenë me guri të çmuar.

Ajo tregon: “Pasi jam kthyer te karvani e kam pa se karvani ishte larguar dhe nuk kishte mbetur njeri”.

Ajo ka menduar se kur do ta kuptonin se mungon, do të ktheheshin për ta marrë.

Mirëpo, si është e mundur që e kanë marrë sëndukun dhe ajo nuk ka qenë aty?.

Thonë: Gratë kanë qenë të lehta. Aishja ka qenë e lehtë. Kështu që burrat e kanë marrë sëndukun duke mos e vërejtur se Aishja nuk ka qenë brenda.

Pastaj, Aishen e ka zënë gjumi duke pritur se mos do të ktheheshin për ta marrë.

Ka qenë traditë e tyre se pas nisjes ndonjëri vonohej dhe mbetej i fundit për të përcjellë dhe për të shikuar se mos ka mbetur gjë mbrapa, ose mos ka mbetur njeri mbrapa. 92

I fundit i cili ka mbetur ka qenë Safvan bin Muatali.

Safvan bin Muatali kur ka vërejtur se ka mbetur diçka që i ngjasonte një njeriu, afrohet dhe kur e sheh se aty kishte qenë Aishja r.a. Atëherë, e ka ofruar Devenë pranë saj, e ka kthyer fytyrën deri sa ka hipur në deve Aishja r.a. dhe e ka vazhduar rrugën pa shikuar mbrapa.

Argument për këtë është se pastaj kanë shpifur, që do të thotë se e kanë thënë të kundërtën e realitetit. Safvani e ka vepruar të kundërtën e asaj çka kanë thënë!

Kur ka mbërri Safvani duke e tërhequr Devenë në të cilën ishte Aishja, e kanë pa disa hipokritë dhe e kanë akuzuar. Kanë thënë për Aishën r.a. atë çka nuk i takon nënave besimtare. Kësaj kampanje i ka prirë kryehipokriti i Medinës, Abdullah bin Ubeje dhe Mustah bin Ethathe. Pastaj Hasan bin Thabiti, Hamnete bin Xhahshi, e cila ishte gruaja e Talha bin Abdullahit dhe motra e Zejnebes, e bija e Xhahshit, E kanë përhapur këtë akuzë në mesin e njerëzve.

Pastaj, Zoti i Madhërishëm thotë: “Mos e llogaritni se është dëm për ju.” (Nurë: 11). Mirëpo cila është e mira dhe dobia e përhapjes së atyre fjalëve?

Kanë thënë: Nga shkaku se Kur’ani kur të zbret për shfajësimin e Aishës nga shtatë qiej dhe lexohet e praktikohet deri në ditën e gjykimit, ashtu që të mposhten nga gjuha kur’anore, atëherë patjetër se duhet të marrin mësim të tjerët dhe që të frikësohen se shpaloset plani i fshehtë i tyre. Për këtë arsye, ky qëndrim është mësim praktik i shoqërisë besimtare.

Po, kjo ngjarje ka rezultuar të jetë e dobishme. Kjo, sepse është lloj i mbështetjes për pejgamberin a.s. në mesazhin e tij.

Zoti Famëlartë e mbështetë pejgamberin e Tij në çështje sekrete, ashtu që të ndërpret shpresat e armiqve të tij se mund të triumfojnë ndaj tij, qoftë me falsifikime, qoftë me tradhti, qoftë me mashtrime, qoftë edhe me plane të fshehta. Kështu, në zemër të Kurejshitëve dita ditës përhapej Islami shumë e më shumë:

– Kanë planifikuar atentat natën e migrimit dhe u ka dështuar plani.

– Kanë tentuar që t’i bëjnë magji, nuk kanë pasur sukses. Praktikisht i kanë bë magji dhe nyjat (fijet) i kanë lidhur në krehër dhe i kanë hedhur në një bunar. Për këtë e ka informuar Xhibrili a.s.

– Pastaj, e ka dërguar pejgamberi a.s. Aliun dhe i ka sjell ato nyje. 93

Kështu pra, kanë qenë të paaftë të ballafaqohen me të.

Kanë dështuar komplotet e tyre. Nuk kanë mundur të mbështeten dhe të gjejnë përkrahje nga xhinët. Po ashtu, këtu kanë qenë të paaftë të denigrojnë reputacionin dhe pejgamberinë e tij. Dhe sikurse Zoti dëshiron t’u thotë armiqve të pejgamberit a.s.: Ndërpriteni shpresën. Ju kurrë nuk do t’ia arrini qëllimin kundër Muhamedit a.s. Nga këtu, informimi për ngjarjen e shpifjes është lajm për një pjesë të shoqërisë së besimtarëve.

Me gjithë atë, askush nuk i ka treguar zonjës Aishe se çka thoshin hipokritët për të. Mirëpo pejgamberi a.s. e ka ndryshuar mënyrën e sjelljes me të saqë nuk ishte i hareshëm siç e kishte zakon. Hynte në dhomën e saj dhe i thoshte: Si jeni? 94

Aishja e ka vërejtur atë ndryshim, por nuk e ka kuptuar shkakun, deri sa është befasuar, kur ajo dhe nëna Mustahit kanë kaluar rreth njërit prej hipokritëve. Kjo çështje e ka prekur dhe ka thënë: Mjerë për Mustahin, dhe Aishja ka bërtitur duke i thënë: Si është e mundur ta mallkosh djalin?

Ajo i thotë: Ti nuk e ke idenë se çka ka thënë?

Aishja shkon te nëna e Mustahit dhe e pyet atë se çka flasin njerëzit dhe e informon.

Për këtë arsye kur ka zbritur ajeti në Kur’an për shfajësimin e Aishes, Ebu Bekri i ka thënë: Shko dhe falënderoje pejgamberin e Allahut. Ndërsa ajo i thotë: Unë e falënderoj Allahun i Cili më ka shfajësuar.

Pastaj Zoti Famëlartë thotë: “Secilit prej tyre do t’i takojë dënimi sipas pjesëmarrjes në mëkat.” (Nurë: 11).

Zakonisht folja “kesebe” (përfitim) përdoret vetëm për çështje të mira. Ndërsa folja “iktesebe” është shtesë e cila tregon për reflektim të së keqes.

Pse?

Kanë thënë: Kjo ngase vepra e mirë shkon paralelisht me natyrshmërinë shpirtërore dhe në atë që është harmonike veprimi me ndjenjat. Ai i cili e bënë një të mirë, nuk reflekton kundërshtim në veten e tij asgjë. Nuk e kundërshton vetja, as ndonjë zakon prej zakoneve.

Këtë e vërejmë edhe te kafshët. A nuk e sheh f.v.: Macen. Nëse i jep një copë mishi, ulet pranë teje dhe e hanë atë copë mishi. Ndërsa nëse e merr fshehtazi, ajo ikë dhe shkon e hanë në një vend të largët prej teje.

Kështu pra, në brendësi të njeriut – saqë edhe te kafshët – është ajo që kuptohet e keqja dhe e mira, është ajo që kuptohet e drejta dhe e padrejta. Ti, nëse e shikon vajzën apo gruan tënde, e shikon natyrshëm dhe me qetësi. Kjo nga shkaku se organet e trupit tënd janë në harmoni me trupin tënd dhe nuk e kundërshtojnë veprimin tënd.

Nëse tenton ta shikosh, atë që e ke të ndaluar, e shikon duke e përvjedhë me shikim dhe me dinakëri. Mundohesh ta fshehësh shikimin ashtu që të të mos vërejë asnjë njeri. Ndonjëherë fillon të zverdhesh, e ta ndryshosh ngjyrën e fytyrës tënde.

Pse?

Kjo nga shkaku se vepron veprim të panatyrshëm. Nuk ke të drejtë ta veprosh atë veprim dhe trupi yt t’i kundërshton organet e trupit tënd, po ashtu organet e trupit tënd të kundërshtojnë. Ndërsa, çështjen e natyrshme, trupi yt e pranon nga vetvetja.

Përderisa, sa i përket të keqes trupi reflekton dhe kundërshton. Për këtë arsye është përdorur forma “iktesebe”, e cila tregon reflektimin.        

Lini një koment